Arbëri

Anglishtja gjen vend nëpër fjalor të shumë gjuhëve tjera

Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare që po mbahet në Prishtinë, mbledh albanologë nga e gjithë bota ku mund të bëhen edhe shkëmbime të ndryshme shkencore.

Sa i përket çështjes së pasurimit të gjuhëve të ndryshme me fjalë të reja, profesorët seminaristë janë të një mendimi se neologjizmat janë kryesisht huazime që vijnë nga anglishtja.

Albanologu bullgar, Anton Panchev, njëherësh profesor i gjuhës shqipe, ka thënë për KosovaPress se neologjizmat në Bullgari vijnë kryesisht nga gjuha angleze. Ai vlerëson lart ruajtjen e traditave të seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, përderisa konsideron se është forum ku mund të bëhen shkëmbime të ndryshme.

“Më duket çdo vit Akademia e Shkencave në Bullgari merret me këtë punë. Natyrisht, në dekadat e fundit kanë ndërhyrë shumë fjalë prej anglishtes, më duket mbi 3 mijë fjalë të gjuhës angleze janë zyrtarizuar tani në gjuhën bullgare. Natyrisht gjuha pasurohet pa ndërprerje, kështu që është një proces normal”, tha ai.

Sa i përket shqipes së rrjedhshme që flet, ai thotë se nuk e ka pasur shumë të vështirë ta mësojë për shkak të ngjashmërive që ka gjetur mes shqipes dhe bullgarishtes.

“Në të vërtetë në fillim ishte shumë vështirë, por pastaj ka edhe disa ngjashmëri ndërmjet shqipes dhe bullgarishtes, pra ne si bullgarë kemi disa përparësi në këtë drejtim sepse kemi disa të përbashkëta në fushën e morfologjisë, leksikologjisë e të tjera”, tha ai.

Edhe albanologu rus Aleksander Novik, pjesëmarrës në seminar qysh prej vitit 1990-të, thotë se neologjizmat që botohen në fjalorin e rusishtes pothuajse çdo pesë vite, kryesisht janë fjalë nga gjuha angleze.

“Jo çdo vit, unë mendoj, njëherë në 5 vjet botojmë në Rusi një fjalorë me neologjizma ku hyjnë të gjithë termat e reja që hyjnë në gjuhën tonë. ...Viteve të fundit gjuha ruse ka mjaftë huazime, si dhe gjuhët e tjera të Evropës, kanë shumë huazime nga anglishtja, posaçërisht në fushën e kompjuterit, të teknikës e kështu me radhë”, tha ai.

Për Novikun, ardhja në Kosovë ngjallë interesim të madh, pasi që thotë se ka shumë veshje tradicionale gjë i ndihmon shumë si etnograf që është.

“Unë merrem me etnografinë e popujve ballkanik. Për mua është shumë interesante të vijë këtu në Kosovë për të grumbulluar materialet në teren. Merrem me veshjet popullore të popujve ballkanik dhe në Kosovë ka shumë veshje tradicionale, pothuajse në çdo zonë mund të gjejmë një veshje të veçantë dhe grumbullimi i materialeve të tilla më ndihmon në punën time”, u shpreh Novik.

Albanologu arbëresh Giovanni Bellusico, shpjegon se huazimet nuk e prishin një gjuhë, përkundrazi e pasurojnë atë. Ai tregon se arbëreshët kanë huazime nga greqishtja, sllavishtja, e sidomos nga italishtja.

“Gjuhët janë organizma që jetojnë, nuk janë organizma të vdekur. Jetojnë dhe si çdo organizëm që jeton, ka ndikime nga jashtë. Kështu edhe fakti se një gjuhë që merr huazime, kjo nuk do të thotë se prishet gjuha, por pasurohet. Ne nuk mund të krijojmë për secilin objekt apo diçka të ndryshme, ndonjë fjalë sepse bëhet diçka artificiale”, tha ai për KosovaPress.

Antropologu rus, Denis Ermolin thotë të jetë në fazën e grumbullimit të materialeve ku rezultatet do t’i botojë si artikuj në gjuhën ruse, angleze dhe në gjuhën shqipe.

“Në Prishtinë është një gjë shumë e rëndësishme për ne si albanolog. Seminari është pikëpamje nga albanologët nga e tërë bota ku kemi kontakte me albanologët nga Gjermania, Polonia, Kosova, Shqipëria dhe këtu mund të takohemi dhe bisedojmë edhe për shkencë edhe për punë dhe gjëra të tjera”, tha ai.

Sipas tij, të studiosh gjuhën shqipe nuk është edhe aq e vështirë meqenëse është gjuhë indoevropiane.