Malazezët e Kosovës mirëpresin fjalën e ambasadores Çitaku në KS të KB

Malazezët e Kosovës mirëpresin fjalën e ambasadores Çitaku në KS të KB

18 gusht 2017 11:32

Shoqata e Malazezëve të Kosovës përmes një komunikate për media ka mirëpritur fjalën e Vlora Çitakut, ambasadores së Republikës së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të mbajtur ditë më parë. Ajo në fjalën e saj ndër të tjera theksoi se “Kosova është shtet i pvarur që u përket të gjithë qytetarëve të saj – shqiptarëve, serbëve, malazezëve, romëve, turqve dhe të gjithë të tjerëve”, rikujton komunikata, transmeton Koha.net.

“Fjalët e ambasadores së Kosovës në Amerikë, Vlora Çitakut, të mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të KB, se Kosova është shtet i pavarur që u përket të gjithë qytetarëve të saj – shqiptarëve, serbëve, malazezëve, romëve, turqve dhe gjithë të tjerëve është konfirmim i përkushtimit të sinqertë dhe i gatishmërisë së institucioneve të Kosovës se komuniteti malazias brenda një afati sa më të shkurtër të bëhet kategori kushtetuese. Fjalët e saj në organin më të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara na bëjnë të besojmë dhe konfirmojnë se përpjekjet tona dhe mundi i investuar për zgjidhjen e pozitës kushtetuese juridike dhe përfaqësimin adekuat në Kuvendin e Kosovës nuk kanë qenë të kota. Misioni që ka filluar Shoqata e Malazezëve të Kosovës pa dyshim do të përmbyllet me sukses dhe mbi të gjitha do të arsyetojë ekzistimin tonë”, thuhet në komunikatë.

Në fund të komunikatës theksohet se “dëshirojmë të bëjmë të ditur se malazezët e Kosovës pajtohet plotësisht me ambasadoren Çitaku se ringjallja e idesë për zgjidhje sipas vijës etnike është e rrezikshme për rajonin dhe si e tillë madje as që duhet të shqyrtohet, por duhet të hidhet poshtë”.

Komunikata është nënshkruar nga Sllobodan M. Vujiçiq, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së malazezëve të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme