Arbëri

Kosova nuk ka aplikuar për pranim në UNESCO, ministri tregon arsyen

Kosova nuk ka aplikuar që të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj, ka dhënë arsyet e mos aplikimit në këtë organizatë.

Sipas tij, pengesë kanë qenë çështjet e brendshme, saktësisht mos miratimi i dy ligjeve, atij për Liritë Fetare si dhe Ligji për Trashëgimin Kulturore.

Demaj ka hedhur poshtë pohimet se ka munguar mbështetja nga shtetet anëtare. Madje kryediplomati kosovar thotë se Serbia nuk ka pasur gisht në mos aplikim.

“Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO akoma. Jemi në pritje të miratimit të dy ligjeve Ligjin për Liritë Fetare dhe Ligjin për Trashëgimin Fetare të cilat ende nuk kanë kaluar. Jemi duke punuar, jemi duke i parë të gjitha mundësitë dhe opsionet, besoj që kemi edhe pak kohë për të aplikuar dhe do të shohim si do të shkojnë rrjedhin gjërat”, tha shefi i diplomacisë kosovare, për EkonomiaOnline.

Mos konstituimi i Kuvendit, sipas Demajt, do të pamundësojë miratimin e këtyre dy ligjeve e në të njëjtën kohë edhe mos aplikimin për këtë vit.

“Pa miratimin e këtyre dy ligjeve nuk mund të lëvizim, nuk mund të aplikojmë, nëse nuk mundemi këtë vit, e lëmë për vitin tjetër”, sqaroi ai.

Në mungesë të tri votave, Kosova dështoi të anëtarësohej në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara UNESCO, në nëntor të viti 2015, proces të cilin e pengoi Serbia. Sesioni i 21-të i Asamblesë së UNESCO-s do të mblidhet në nëntor në Paris. E për pranim, Kosovës i duhet dy të tretat e votave të 195 vendeve anëtare.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në një organizatë tjetër në INTERPOL. Por edhe pse u tha se janë siguruar votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e kësaj organizate të sigurisë, ministri në detyrë, Emanuel Demaj, thotë se këto raporte nuk janë shumë shpresëdhënëse.

“Do të ketë vështirësi, është shumë e vërtetë, sepse ka shumë shtete që kanë mbetur pezull, nuk japin një përgjigje. Do të kemi një takim gjatë kësaj jave me kryeministrin, edhe presidenti është njoftuar dhe mbetet që të shohim të gjitha raportet që kanë ardhur. Raportet nuk janë shumë shpresëdhënëse se Kosova do të anëtarësohet, por sidoqoftë këto raportet do të na udhëzojnë si të vazhdojmë më tutje. Ne e dimë se gjërat mund të ndryshojnë në momentet e fundit, Kosova në këtë situatë që është do të ketë vështirësi se institucionet janë ende të pakrijuara dhe Kuvendi i pa konstituuar edhe pse po mundohemi të bëjmë punën si është më së miri. Brenda kësaj jave do të vendoset gjithçka rreth INTERPOL-it”, u shpreh Demaj.