SBASHK-u përgatitet për grevë Foto: Koha / ilustrim

SBASHK-u përgatitet për grevë

14 gusht 2017 11:47

SBASHK-u ka paralajmëruar se do të hyjë në grevë nëse kryetarët e komunave dhe institucionet tjera të qeverive lokale nuk bëjnë hapa konkret në realizimin e çështjeve të tri pagave suplementare, tri pagave me rastin e pensionimit, çështjes së shujtës dhe udhëtimit të punësuarit udhëtarë në arsim.

Në një komunikatë për media thuhet po ashtu se SBASHK-u në shtator do të dërgojë padi në gjykatat gjegjëse për të realizuar kërkesat legjitime që dalin nga kontrata kolektive e arsimit të Kosovës, nënshkruar nga MASHT dhe SBASHK, më 18 prill të këtij viti, transmeton Koha.net.

SBASHK-u përkujton se lidhur me këtë çështje u kishte dërguar të gjithë kryetarëve të komunave të Kosovës letër zyrtare më 21 qershor 2017 me kërkesën që ata të bëjnë me kohë planifikime buxhetore në mënyrë që të realizojnë obligimet që dalin nga kontrata kolektive.

“Kaloi një kohë e gjatë nga 21 qershori dhe jemi në prag të vitit të ri shkollor e qeveritë lokale nuk shihet se kanë bërë ndonjë hap konkret për të vënë në rend dite çështjet e ngritura në shkresën zyrtare drejtuar kryetarëve të komunave dhe prandaj SBASHK-u që tani ka nisur përgatitjet për veprime sindikale gjatë muajit shtator e madje edhe për grevë të përgjithshme”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, SBASHK tërheq vërejtjen se nëse institucionet komunale nuk ndërmarrin masa për të përmbushur kërkesat, atëherë do të jetë i detyruar të mbledhë shënimet për punëtorët arsimor udhëtarë dhe do t’i drejtohet gjykatave për këtë çështje dhe për shujtën e bindur se do të dalë fituese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme