Kur do të shuhen kodet telefonike +377 dhe +386 Foto: Koha / ilustrim

Kur do të shuhen kodet telefonike +377 dhe +386

13 gusht 2017 11:37

Kodi i ri +383 do të funksionalizohet në qershor të vitit të ardhshëm, kur edhe do të shuhen kodet +377 dhe +386.

Në Kosovë janë mbi 1 milion përdorues të internetit. Kurse, javën që vjen inspektorët e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), do të dalin në terren për të inspektuar punën e operatorit mobil serb, MTS. D.O.O.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i ARKEP-it, Kreshnik Gashi, ku ka thënë se do të inspektohet ky operator me qëllim që të shihet se a po i përmbahet limiteve që i janë caktuar me marrëveshjen arritur në Bruksel.

Operatori i përkohshëm i licencuar MTS. D.O.O, në bazë të marrëveshjes së Brukselit, ka filluar operimin e tij në zonat e banuara me minoritetin serb dhe i ka në shfrytëzim 60 mijë numra, bashkë me shërbim të internetit. Kosova në shkëmbim të dhënies së licencës me marrëveshje ka marrë kodin telefonik +383.

Ndërsa, Gashi ka thënë se kodi i ri do të funksionalizimet në qershor të vitit të ardhshme.

“Operatori i përkohshëm i licencuar MTS D.O.O në bazë të marrëveshjes së Brukselit ka filluar operimin e tij në ato zona të caktuara të Kosovë. Ai i ka pasur 8 muaj kohë që të adaptoj teknologjinë dhe t’i zbatoj plotësisht të gjitha rregullat dhe ligjet e Kosovës, ku përfshihet edhe regjistrimi i çdo shfrytëzuesi të tyre përkatësisht operimi në bazë të të gjitha limiteve që janë vendosur në licencën e përkohshme që iu është dhënë atyre. Ky 8 mujor skadon më 15 gusht të këtij viti. ARKEP është duke u përgatitur të bëjë një inspektim menjëherë javën që pason në mënyrë që të vërtetoj se deri ku janë zbatuar këto limite që janë dhënë në licencën e përkohshme. Përveç faktit se ne bëjmë matje të vazhdueshme dhe e dimë që në aspektin e shtrirjes së tyre janë duke i zbatuar plotësisht ato limite që janë dhënë me legjislacionin e Kosovës, po ashtu sa i përket raportimit të tyre dhe bashkëpunimit me rregullatorë me ARKEP-in, ata janë duke i zbatuar të gjitha obligimet që i kanë”, tha Gashi për Kosovapress.

Ndërsa sa i përket kodit të ri të Kosovës që ka marrë në shkëmbim të kësaj licence, Gashi ka thënë se gjatë këtij viti duhet të realizohen thirrjet hyrëse, kurse, në fillim të vitit të ardhshëm operatorët duhet të kalojnë në fazën e përfundimit të këtij procesi.

“Viti 2017 është vit në të cilin realizohen thirrjet hyrëse me +383 nga operatorë të ndryshëm të botës në drejtim të operatorëve të telefonisë fikse dhe mobile në Kosovë. Barra kryesore dhe i gjithë procesi i implementimit të kodit është mbi operatorët e telefonisë mobile dhe fikse. Ndërsa fillimi i vitit 2018 do të kalojë në fazën kur do të bëhet ndërrimi i sim kartelave të qytetarëve dhe do të shfrytëzohet plotësohet kodi +383. Ndërsa kodet tjera ekzistuese +377 dhe +386 do të jenë kode rezervë në të cilat qytetarët do të mund të thirrin gjithashtu, por kod kryesor primar do të jetë +383 deri në fillim të vitit 2018. Ndërsa deri në qershor të vitit 2018-të parashihet të shuhen së funksionuari të dy kodet, +377 dhe +386”, tha Gashi.

Gashi ka folur edhe për cilësinë e shërbimeve që operatorët mobilë e ofrojnë në Kosovë, Vala dhe Ipko. Ai ka thënë se operatorët që janë në Kosovë shërbimet e internetit i kanë ofruar me vonesë, por që aktualisht me këtë shërbim e mbulojnë 70 % të popullsisë.

“Shërbimi në Kosovë është relativisht cilësor në telefonin mobile dhe gjithashtu edhe në internet 3&4G. Ta kemi parasysh që operatorët në Kosovë kanë filluar pak më me vonesë, në krahasim me rajonin në implementimin në këto teknologji të reja. Kryesisht, fillimisht kanë mbuluar zonat me një shtrirje më të madhe të popullsisë për të vazhduar pastaj me rrugë kryesore dhe me pjesë të tjera të vendit. Aktualisht ky shërbim mbulon mbi 70 për qind të popullsisë së Kosovës me shërbime 3 dhe 4G. Është një tendencë e investimeve në rritje nga të dy operatorët. Prandaj konsiderohet që është mbi mesataren e rajonit dhe si shërbim është shërbim relativisht i mirë, por që në vazhdimësi duhet të përmirësohet dhe mirëmbahet ai shërbim që të adaptohet me nevojat e kohës”, tha Gashi.

Sipas tij, me zhvillimin e pajisjeve teknologjike të reja, me telefona të rinj të mençur, po ashtu aplikacionet e reja kërkojnë më shumë internet, kërkojnë fuqi më të madhe edhe në sasi të të dhënave që i përdorim prandaj, sipas Gashit, kjo teknologji duhet të adaptohet në vazhdimësi në mënyrë që të jetë në gjendje që të përballojë nevojën e qytetarëve.

Ai ka shtuar se rënia e të hyrave tek operatorët mobilë në vend dhe në botë vjen si shkak i komunikimeve me internet.

“ARKEP ka bërë disa analiza dhe ka ardhur në përfundime të brendshme se zhvillimi i teknologjisë mundëson një shfrytëzim shumë më të mirë të shërbimeve të telefonisë mobile kryesisht por edhe të internetit nga qytetarët. Po në anën tjetër ka edhe ndikim në zvogëlimin e shpenzimeve që qytetarët bëjnë për këto shërbime që janë shërbime të komunikimeve elektronike, që do të thotë se në rast se një teknologji e re mundëson që qytetari të komunikoj shumë më lirë mes vete ose mos të shfrytëzoj fare shërbimet klasike të zërit në telefon por vetëm të shërbimeve të internetit”, tha Gashi.

Sipas tij, në Kosovë janë mbi 1 milion përdorues të internetit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme