Abrashi vlerëson Pacollin: Njerëzit që vijnë nga biznesi nuk e durojnë status-quon

Abrashi vlerëson Pacollin: Njerëzit që vijnë nga biznesi nuk e durojnë status-quon

13 gusht 2017 11:16

Nënkryetari i AAK-së, Gazmend Abrashi, ka thënë se qëndrimi i Presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, në lidhje me formimin e institucioneve të vendit, është për t’u vlerësuar.

Sipas Abrashit, Pacolli, edhe në kohën kur u largua nga posti i Presidentit “nuk pranoi ta dërgojë vendin në zgjedhje, duke reflektuar përtej interesit personal”.

“Ai edhe tash po e dëshmon se është njeri i zgjidhjeve duke e vënë interesin e Kosovës në radhë të parë, ngase çdo ditë e kaluar pa krijim të institucioneve sjellë humbje të pa riparueshme për vendin tonë”, thotë Abrashi në një postim në faqen e tij në Facebook, raporton Koha.net.

Nënkryetari i AAK-së, parti e cila në koalicion me PDK-në, Nismën dhe me disa parti të vogla kanë fituar shumicën e ulëseve në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 11 qershorit, ka shtuar se afati 10 ditor i dhënë nga Pacolli për gjetjen e zgjidhjes për formim të institucioneve tregon se “njerëzit që vijnë nga biznesi nuk e durojnë status-quon dhe se profili i tij ia mundëson ta kuptoj më së miri se sa të mëdha janë humbjet ekonomike dhe sa shumë dëmtohet imazhi i vendit nga kjo zvarritje”.

“Sikur e gjithë klasa politike të reflektonin në këtë formë, tashmë vendi do t'i kishte institucionet e krijuara”, ka përfunduar Abrashi.

Kujtojmë se Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ditë më parë i bëri thirrje partisë me të cilën është në koalicion parazgjedhor, LDK-së, që t’i afrojë qëndrimet me Lëvizjen Vetëvendosje me qëllim të formimit të Qeverisë së vendit në rast se dështon koalicioni PAN.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme