Veliu për AKR-në: S’është mirë të prishet koalicioni Foto: Arkiv

Veliu për AKR-në: S’është mirë të prishet koalicioni

12 gusht 2017 23:27

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, thotë se po presin hapin e koalicionit PAN drejt krijimit të institucioneve të reja e më pas LDK-ja do të shqyrtojë hapat e vetë të mëtejshëm.

Veliu iu kundërpërgjigj edhe kritikave të partnerit të saj të koalicionit, AKR-së, pasi nënkryetari i kësaj partie, Agim Bahtiri tha se nuk do të presin deri në pafundësi LDK-në për formimin e institucioneve të vendit.

“Nuk ka të drejtë Bahtiri e as askush ta akuzojë LDK-në pse nuk po bisedon me Albin Kurtin apo me këdo qoftë. LDK-ja nuk është në pozicion që mund të bisedojë me askënd, sepse në bazë të Kushtetutës koalicioni që i ka fituar zgjedhjet, ai duhet ta bëjë përpjekjen e parë. Tek pastaj, kur të krijohen kushtet, LDK-ja do ta vlerësojë se me kë të bisedojë. Nuk është as Agim Bahtiri as AKR-ja e as asnjë subjekt politik që mund ta detyrojë LDK-në të ulet e të bisedojë me këdo qoftë ”, tha Veliu për televizionin 21.

“Ajo është çështje e tyre. Ne kemi hy me vullnet në koalicion dhe është çështje e tyre se sa ata qëndrojnë. Nuk do të ishte mirë që koalicioni të prishej. Është mirë të ndiqet procedura, rendi pastaj, pas konsumimit mund të ulemi, të bisedojmë dhe të vlerësojmë. Ne presim që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mblidhen, ta zgjedhin kryesinë e Kuvendit dhe të vazhdojë procedura e mëtejme”, tha Veliu.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme