Arbëri

Ultimatumi i Pacollit është i ngutshëm, thotë Bajrami

Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se deri tani është konfirmuar se koalicioni LAA është i qëndrueshëm.

“Nuk shohim ndonjë individ që do ta braktisë”, ka thënë ajo.

E pyetur për Behgjet Pacollin, ajo ka thënë se nuk mendon që do bëjë veprime të tilla e të kalojë te PAN-i.

“Nuk është momenti të vendosen ultimatume, aq më pak drejt partive të mëdha”, shtoi ajo në Interaktiv të KTV-së, duke shtuar se madje thirrja e Pacollit është një hap përtej situatës, është i ngutshëm.

“Një ultimatum i tillë, të themi kushtimisht ultimatum, mund të vinte nga Pacolli nëse PAN-i do të konsumonte herën e parë e nuk do të arrinte të bënte Qeverinë. Së pari duhet të dështojë PAN-i, e pastaj të ketë ultimatum nëse LDK e Vetëvendosje nuk po afrohen”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se në rast të tillë një ultimatum nga Pacolli do të kuptohej edhe nga qytetarët.

“Në këtë faze edhe sikur ne të afroheshim me Vetëvendosjen nuk do të mund të zgjidhnim kryeparlamentarin”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se 61 deputetë mund ta formojnë një Qeveri dhe mund ta zgjedhin një kryeparlamentar.

“Por pyetja është se çfarë institucionesh po krijojmë”, ka thënë ajo duke shtuar se një qeveri me 61 deputetë me Listen Serbe brenda këtij numri nuk do të ishte e shëndetshme për Kosovën.

E pyetur nëse do të befasoheshin nëse Pacolli përfundimisht e përkrah PAN-in që në herën e parë, Bajrami ka thënë se “në politikë nuk ka shumë hapësirë për befasi”.

“Ne nuk kemi mekanizma të atillë për ta kontrolluar as zotin Pacolli e as ndonjë deputet tjetër”, ka thënë ajo.