Pacolli përsërit ultimatumin

Pacolli përsërit ultimatumin

10 gusht 2017 13:45

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook, përsëri u ka bërë thirrje Vetëvendosjes dhe LDK-së që të formalizojnë marrëveshjen me të cilën, sipas tij, do t’i jepnin fund krizës politike.

Të mërkurën mbrëma Pacolli në një intervistë për televizionin publik u ka dhënë afat prej 10 ditësh VV-së dhe LDK-së që të lidhin koalicion për formimin e qeverisë. Ultimatumin e Pacollit, shefi i LDK-së, Isa Mustafa e ka quajtur vetëm propozim dhe se po pret dështimin e PAN-it për të formuar qeverinë, për të ndërmarr hapat e ardhshëm, transmeton Koha.net.

Në postim në rrjetin social, Pacolli ka shkruar se ai nuk bën ultimatume, por sipas tij, ultimatumin për zgjidhjen e krizës politike e përcakton ekonomia dhe humbjet që po i bëhen Kosovës, duke përmendur edhe fakte.

“Unë nuk bëjë ultimatum, ultimatumin e vërtetë për zgjidhjen e krizes e përcakton ekonomia: e përcaktojnë humbjet dhe dëmi ekonomik që po i shkaktohet Kosovës cdo ditë (vetem deri tani 138 milion euro më pak vetëm nga FMN).Unë thjesht dua të shoh lëvizje politike nga LDK-ja dhe VV-ja që të formalizojnē marrëveshjen që do i jepte fund krizës politike”, thuhet në njërën pjesë të postimit të tij në Facebook.

“Unë u bëj thirrje edhe mediave dhe shoqërisë civile që kanë përgjegjësi të mëdha, që të japin kontributin e vet në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e këtij ngërçi. Le t'ja përkujtojnë klasës politike pasojat ekonomike të krizës dhe të mos merren me konspiracione”, ka shkruar ai.

Në postim ai ka folur edhe për vazhdimin e sotëm të seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, e cila është shtyrë për të hënën në mungesë të PAN-it.

“Edhe sot, pa ndodhur asgjë kaloi vazhdimi i seancës që u karakterizua me bllokadën nga koalicionit PAN. Unë dhe AKR, interesin e Kosovës dhe tē qytetarëve e kemi vënë në radhë të parë dhe kërkoj nga të gjithë akterët politikë që të bëjnë të njëjtën gjë dhe të mos kalkulojnë. Për mua dhe AKR, është me rëndësi që sa më shpejtë të formohen institucionet e shtetit dhe të fillojë implementimi i detyrave që kanë mbetur peng e arrogancës politike. AKR nuk ka ndërruar pozicionin e vet dhe jemi koherentë me propozimet tona që i kemi dhënë nga dita e parë. Ne e kemi identitetin tonë si parti liberale që ka parim zgjidhjet, dhe jo krizën, shtetin dhe qytetarin mbi partitë politike. Zgjidhje të qëndrueshme po kërkojnë edhe miqtë ndërkombëtarë”, ka shkruar Pacolli.
 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme