Arbëri

Qytetarët të alarmuar për lajmet e vezëve të infektuara

Jeton Bajqinovci ka dhjetë vjet që mban një fermë të pulave dhe çdo ditë nga biznesi i tij grumbullon rreth 150 pako me vezë nga gjithsejtë 4000 pula.

Kujdesi i tij ndaj fermës është shumë i madh dhe thotë se asnjëherë më shumë se 28 ditë nuk i mban vezët në depo sepse pas kësaj periudhe ato nuk janë më për konsum, raporton KTV.

Sipas Bajqinovcit, shumica e vezëve të importuara janë të papërdorshme, sepse iu del afati, por që shpesh qytetarët nuk e dinë këtë.

Paralajmërimin nga Bashkimi Evropian se ka vezë të infektuara me insekticidin “fipronil”, Bajqinovci e sheh alarmues. Sipas tij, krejt kjo situatë është rezultat i neglizhimit nga shteti të prodhuesve vendor, të cilëve nuk u del në ndihmë askush.

Nëpërmjet telefonit, kryetari i ri i shpezëtarëve të Kosovës, Sabit Rama, i ka thënë KTV-së se importi i pakontrolluar mund të sjellë vezë me cilësi të dobët, andaj sugjeron që të ndërpritet komplet importi i vezëve.

Rama ka theksuar se po të ndihmohej prodhimi vendor, 98% e konsumit mund të mbulohet nga fermat tona.

Megjithatë, importi mbetet tejet i lartë. Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave të Kosovës, bën të ditur se vitin e kaluar janë importuar mbi 6 milionë vezë nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia dhe një sasi e vogël nga Italia.

Qytetarët janë të shqetësuar se po konsumojnë produkte pa kurrfarë kontrolli.

Me arsyetimin se janë në pushim, zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës nuk kanë dashur të prononcohen rreth deklarimit të fundit të BE-së, se në shtatë shtete evropiane janë shfaqur vezë të infektuara me insekticidin e dëmshëm “fipronil”.

Ndërkohë për “Kohën Ditore” zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, ka thënë se Kosova ka më shumë se dy vjet që nuk importon vezë nga vendet e BE-së dhe se nuk ka vezë të infektuara në territorin e Kosovës.