Arbëri

Escobar: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se janë të fokusuar në finalizim të marrëveshjes Kosovës – Serbi e jo në nënshkrime.

Escobar është në Ohër oku po merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

“Pritja jonë më e madhe sot është për finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim çtë marrëdhënieve]. Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike. Prandaj, nga perspektiva jonë, kjo është vërtet historike. Kjo është, vërtet, një mundësi për t’i lënë shumë mbrapa ngjarjet e viteve ’90, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi”, ka thënë Escobar në intervistë për “Radio Evropën e Lirë”.

Escobar është takuar me Kurtin më herët sot, ndërsa pritet të takohet edhe me Vuçiqin.

Escobar i pyetur pse është e rëndësishme të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi në mars, ka thënë se ka disa arsye.

“E para, ne duhet ta pranojmë që jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, në mënyrë që Evropa të jetë e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, duhet t’i zgjidhë të gjitha sfidat e sigurisë që ekzistojnë brenda kontinentit evropian. Dhe, kjo është ndër të fundit. Neve na duhet ta konsolidojmë, jo vetëm paqen, por ta konsolidojmë edhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për gjithë kontinentin evropian. Kjo e hap derën për atë gjë. Prandaj, tani është mundësia më e mirë që e kemi për ta arritur atë gjë, përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet disa vendeve që ende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm drejt integrimeve euro-atlantike”, tha Escobar.

Escobar ka thënë se Vuçiq ka nisur bisedë në Serbi se si duhet të duket marrëdhënia Kosovë – Serbi në të ardhmen.

“Dhe, duhet të them që të dyja palët janë duke e marrë seriozisht këtë përgjegjësi. Kështu që, unë shpresoj se do të arrijmë një aneks të finalizuar për një marrëveshje për normalizim sot”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se nuk duhet fokusuar në nënshkrim të ndonjë dokumenti, por në finalizim.

“Shikoni, ne nuk jemi të fokusuar në nënshkrim, por po fokusohemi në finalizim. Kjo do të thotë të kemi një pajtim që të dyja vendet të përgatiten për diskutime reale dhe një pajtim real në marrëdhënien e tyre. Kështu që, kjo është më e rëndësishme: finalizimi i aneksit”, tha Escobar.

Ai ka thënë se Propozimi evropian hapë një derë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën.

“E, megjithatë, jashtë rajonit, njerëzit besojnë se Ballkani Perëndimor është një zonë konflikti dhe tensioni etnik. Në realitet, kjo do t'i jepte fund një prej mosmarrëveshjeve të fundit të mbetura në rajon dhe do të lejonte që i gjithë rajoni të zinte vendin e tij në Evropë, si një pjesë e rritjes më të shpejtë të Evropës”, tha Escobar.

Ai ka thënë se për SHBA-në njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi është qëllimi përfundimtar.

“Mendoj se duhet të ndodhë për të gjitha vendet e rajonit. Kështu që, unë mendoj se nuk ka asnjë mënyrë, asnjë rrugë për në Evropë pa e njohur njëra-tjetrën të gjitha vendet e rajonit - që ta njohin njëra-tjetrën - dhe pa punuar mirë së bashku me njëra-tjetrën”, ka thënë Escobar./REL