Arbëri

Takimi i nivelit të lartë në Ohër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot takon presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Ohër. Takimit të përbashkët do t’u paraprijnë takimet ndaras me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në takim, në cilësinë e vëzhguesit do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi do të ketë fokus Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe do të fillojë nga ora 10:00. Në orën 10:30 parashihet që Vuçiqi të takohet me Borrellin, kurse me Kurtin, Borrelli do të takohen në 11:30.

Zyrtarët ndërkombëtarë patën thënë pas takimit në Bruksel në shkurt se palët ishin pajtuar për përmbajtjen e propozimit.

Kurti ka thënë se Kosova është e përkushtuar që takimi në Ohër të jetë i suksesshëm. Kurse, Vuçiq është shprehur se nuk do të nënshkruajë asgjë.

SHBA-ja është shprehur optimiste me zotimin se të dyja shtetet do të përfitojnë nëse nënshkruajnë marrëveshje. E, BE-ja ka thënë se është një shans unik që Kosova dhe Serbia të ecin përpara dhe të bëjnë përparim në normalizimin e raporteve.

Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.