Mësimdhënëset e shkollës “Dardania” i reagojnë PDK-së për akuzat për punësime politike Foto: Koha / ilustrim

Mësimdhënëset e shkollës “Dardania” i reagojnë PDK-së për akuzat për punësime politike

08 gusht 2017 17:25

Një grup mësuesesh nga shkolla fillore “Dardani” në Prishtinë, përmes një reagimi dërguar mediave, kanë demantuar pretendimet e PDK-së, Dega në Prishtinë për punësimet politike, gjegjësisht janë punësuar si militante të Vetëvendosjes.

Përmes këtij reagimi, mësueset e përmendura me emra në konferencën e PDK-së, Dega në Prishtinë më 6 gusht, kanë thënë se ato të dhëna të paraqitura në atë konferencë “nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta”.

“Të dhënat që kanë prezantuar nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta asnjëra që i referohen mësueseve të shkollës “Dardania”, prandaj ne kemi vendosur që të reagojmë dhe të kundërshtojmë këto të pavërteta”, thuhet në reagimin e këtyre mësueseve.

Më poshtë ju sjellim të plotë reagimin e mësueseve të shkollës fillore “Dardania”:

Reagim nga mësimdhënëset e SHFMU “Dardania”- Prishtinë, kundër prezantimit në konferencë për shtyp të Partisë Demokratike të Kosovës për punësim të militantëve të partisë Vetëvendosje në shkollat e Prishtinës.

Në konferencën për shtyp të Partisë Demokratike të Kosovës, të datës 06.08.2017 është prezantuar se në SHFMU “Dardania” në Prishtinë janë punësuar si militantë të Vetëvendosjes katërmbëdhjetë (14) mësuese.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshme që  në muajin tetor të këtij viti (2017) do të ketë zgjedhje lokale në Prishtinë dhe qysh tani kanë filluar fushatat parazgjedhore të partive politike, mirëpo për ne si mësimdhëse dhe kontribuuese të arsimimit të brezave të rinj nuk nxit kurrfarë interesi mënyra se si partitë përzgjedhin të bëjnë fushatat e tyre dhe lidhur me këtë assesi nuk dëshirojmë dhe nuk pranojmë që të jemi pjesë e formës se fushatave të tyre dhe prezantimit të të pavërtetave.

Ne mësueset e shkollës “Dardania” jemi të indinjuara me mënyrën se si në prezantimin e Partisë Demokratike të Kosovës, emrat tanë janë përmendur si të punësuara në cilësinë e Militanteve të  Vetëvendosjes, gjë që nuk përmban asnjë element të vërtetë. Ky reagim i yni është vetëm në cilësinë e MËSUESEVE dhe jo si anëtare të ndonjë partie politike pasi nuk i përkasim asnjërës.

Këto deklarata për ne dhe rrethin tonë kanë ndikuar në një ndjesi të keqe për faktin se nuk përmbajnë asnjë të vërtetë dhe po ashtu për faktin se ne jemi të punësuara sipas konkursit dhe procesit të rregullt të Komunës së Prishtinës. E vetmja e vërtetë që posedon kjo shpifje ndaj nesh është që realisht ne jemi punësuar kur me Prishtinën ka qeverisur Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo punësimi jonë nuk është bërë pse ne kemi qenë apo jemi pjesë e Vetëvendosjes. Prezantimet e tilla mendojmë se e sulmojnë sistemin arsimor në Kosovë, mësuesin dhe të ardhmen e tyre por edhe nxënësit si pjesëmarrës në këtë ndodhi, pasi që si mendoni se janë ndjerë ata kur e kanë parë emrin e mësueses së tyre në media si një të punësuar në mënyrë jo të rregullt? Përshtypjet e prindërve se fëmiu i tij njohuritë po i merr nga një militante?

Prandaj theksojmë që të dhënat e prezantuara nuk përmbajnë asnjë të vërtetë, kjo për faktin se për proceset rekrutuese të mësueseve në shkollën “Dardania” ekzistojnë dosjet dhe data bazat e të dhënave ku kemi qenë të ranguara dhe më pas jemi përzgjedhur të jemi pjesë e stafit të kësaj shkolle.

Ku është SBASHK-u, ku është MASHT-i të cilët kanë për qëllim ndërtimin e Sistemit Arsimor dhe ruajtjen e vlerave të mësuesit. Dhe të cilët në çdo prononcim të tyre objektiv kryesor e përmendin ngritjen e cilësisë së arsimit?! A në këtë mënyrë ngritët cilësia, me shpifje të personave që bartin epitetin e profesionit më të shenjtë?! Ku është reagimi i tyre lidhur me sulmin dhe të pavërtetat e prezantuara për mësuesit?!   A thua kush do të na mbrojë neve si mësuese dhe si femra?! A duhet te jemi me çdo kusht pjesë e ndonjë partie politike për të na mbrojtur shteti, shoqëria dhe organizatat vendore?! Cilit organ t’iu referohemi në mënyrë që të pastrojmë njollën e përlyer nga politizimi ?!

Lidhur me këtë, ne kërkojmë nga Partia Demokratike e Kosovës që të del me fakte konkrete dhe relevante lidhur me mësueset e shkollës “Dardania” në Prishtinë  se a janë anëtare apo militante të Vetëvendosjes dhe nëse ka pasur parregullsi në proceset rekrutuese këtë lëndë ta prezantojë tek organet kompetente dhe përgjegjëse. Sepse ata (PDK) duhet të kenë një ‘alibi të përkryer’ përkitazi gjykimit të tyre. Në të kundërtën nëse nuk posedon fakte konkrete të kërkojë falje publike për dëmin që i ka shkaktuar imazhit të këtyre mësueseve.

Nga prezantimi në konferencë për shtyp shihet se ka shumë gabime për mësuesit e shkollës sonë, kjo ndoshta për faktin se këto të dhëna nuk kanë qenë zyrtare por janë mbledhur nga persona jo përgjegjës që pikërisht u shërbejnë partive të tyre.

Ne presim që kjo shpifje e prezantuar në Konferencën për shtyp për mësueset e shkollës “Dardania” të tërhiqet sa më shpejt.

Pavarësisht sulmeve që do të na bëhen nga çdokush, të cilat janë të natyrshme në vendin tonë sidomos gjatë fushatave parazgjedhore ne do të vazhdojmë punën në edukimin dhe mësimin e gjeneratave të reja sepse këtu ka mbetur e vetmja shpresë për zhvillimin e vendit, dhe synim kryesor të profesionit do ta kemi drejtësinë.

Me respekt dhe konsideratë,

Mësueset nga SHFMU “Dardania” Prishtinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Fetah J09/08/2017 08:57

Ska qka ti shtojsh kesaj letre. Shume mire e kan formuluar mesueset. Po afron e ardhmja e suksesit ne KS. PDK duhet te reformohet! Sjan pasqyra e popullit. Ne jemi me te mire!

Shto koment

Të ngjashme