Arbëri

Lista Serbe i ofron Vuçiqit mbështetje për të vazhduar “luftën” për formimin e Asociacionit

Lista Serbe nëpërmjet një reagimi në Facebook i ka shprehur mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të vazhduar, siç kanë thënë, luftën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Populli serb në Kosovë dhe Metohi dhe Lista Serbe si përfaqësues ligjor dhe legjitim i ofrojnë mbështetje të plotë presidentit Aleksandar Vuçiq, për të vazhduar luftën për formimin e Bashkësisë së komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe vitit 2015, me qëllim që të kemi një institucion kulm të popullit serb që do të mbrojë të drejtat individuale dhe kolektive të popullit serb dhe të krijojë kushte për mbijetesën, qëndrimin dhe kthimin e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e opozitës në Serbi për moskundërshtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atyre që siç thuhet “e krijuan dhe e mbështetin Kosovën e pavarur.

“Pasi që opozita në Beograd humbi shpresën se presidenti Vuçiq do të nënshkruajë kapitullimin dhe do ta dorëzojë Kosovën dhe Metohinë, tani në vend se të kërkoj falje Goran Bogdanoviq që jeton në Beograd e që rrejshëm paraqitet se jeton në Leposaviq, Rada Trajkoviq që jeton në Savski Venac dhe paraqitet si përfaqësuese e serbëve nga Kosova dhe Metohija, Bosko Obradovic që rrejshëm paraqitet si patriot dhe bën gjithçka kundër interesave të popullit serb, Milosh Jovanoviq, që paraqitet rrejshëm vetën si serb ... dhe të tjerët të ngjashëm me ta, vazhdojnë të gënjejnë e sulmojnë presidentin Vuçiq e nuk thonë asnjë fjalë kundër Kurtit, apo atyre që krijuan dhe mbështesin fuqishëm Kosovën e pavarur”, thuhet në reagim.