Arbëri

Kurti ia konfirmon Cholletit qëndrimin pro propozimit evropian

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të premten një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të cilit ia ka konfirmuar qëndrimin e tij pro propozimit evropian drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ka njoftuar Kryeministria.

Në njoftim thuhet se Kurti i tha Cholletit, se përveç njohje reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të konsiderohen edhe të drejtat e pakicave kombëtare.

“Gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare. Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht”, thuhet në njoftim.

Më 27 shkurt në Bruksel mbahet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve evropian.