Arbëri

Lista Serbe ende s’ka vendosur se me kë do të hyjë në koalicion

Lista Serbe ka bërë të ditur se përfaqësuesit politikë serbë nuk kanë marrë asnjë vendim për çfarëdo koalicioni në Kosovë.

Kreu i kësaj partie, Goran Rakiq, tha se Lista Serbe mbështet formimin e institucioneve në Kosovë në pajtim me vullnetin e shprehur të qytetarëve në zgjedhje.

“Ne presim që akterët politikë sa më parë të hyjnë në dialog për formimin e shumicës parlamentare, në të cilën partia jonë është e gatshme që të marrë pjesë për të paraqitur pritjet dhe kërkesat e popullit serb”, ka thënë ai për Tanjug.

“Bashkëqytetarët tanë na kanë zgjedhur neve që të luftojmë për interesat serbe dhe për qytetarët tjerë të Serbisë në Kosovë e Metohi në mënyrë të përgjegjshme dhe pa asnjë kompromis të kalbur, dhe këtë edhe do ta bëjmë”, ka thënë më tej Rakiq, transmeton Koha.net.

Ai tha se raporti ynë ndaj partive shqiptare në këtë periudhë do të varet kryekëput nga ajo nëse do të tregojnë mirëkuptim ndaj problemeve të popullit serb në Kosovë ndërsa kërkesat tona “janë të qarta dhe prapa tyre kanë qëndruar në shumicë bashkatdhetarët tanë në zgjedhjet e fundit”.