Autostrada pa pushimore nga neglizhenca e Minstrisë së Infrastrukturës Foto: Koha / arkivi

Autostrada pa pushimore nga neglizhenca e Minstrisë së Infrastrukturës

07 gusht 2017 13:55

Katër vjet nga përurimi i autostradës “Ibrahim Rugova”, përgjatë rrugës vërehen hapësirat e zbrazëta të pushimoreve të planifikuara, që e lë autostradën në statusin “e papërfunduar”.

Aty ndalen makinat, por nuk kanë kurrfarë shërbimi. Madje përgjatë autostradës nuk ka as pompë për karburant, raporton Ndertimi.info.

Një projekt i tillë është në letër, por që është lënë pas dore nga Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Infrastrukturës.

Projekti “Ndërtimi i Stacioneve të shërbimit në rrugën 7” është dorëzuar në prill të 2014 nga Ministria e Infrastrukturës dhe është miratuar nga Komiteti për Partneritet Publiko-Privat. Mirëpo, sipas Ministrisë së Financave, ky projekt nuk ka vazhduar në procedura të mëtutjeshme nga Ministria e Infrastrukturës, të cilat as nuk kanë dhënë ndonjë informacion në Ministrinë e Financave.

E ministri në largim i Infrastrukturës, Lutfi Zharku për Ndërtimi.info ka folur për këtë projekt, ku si në shaka thotë që I mbetet qeverisë së ardhshme, teksa pranon që është lënë anash dhe nuk është pajtuar me disa pika të projektit.

“Qeveria e ardhshme… Unë e kam gjetur një projekt që është dashur të realizohet nëpërmes PPP (partneritet publiko-privat), dorën në zemër nuk kam qenë I kënaqur me disa kushte, por që nuk I kemi kushtuar një kujdes ndoshta të duhur gjatë kësaj kohe, duke e lënë në atë se kur të kryhet edhe autostrada ‘Arbën Xhaferi’”, ka thënë Zharku.

Sipas projektit, do të ndërtohen 6 stacione të shërbimit dhe kohëzgjatja e koncesionit do të jetë 25 vjet.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme