Arbëri

Situata me zjarret në Shqipëri vijon të jetë shumë problematike

Situata me zjarret në Shqipëri vijon të jetë shumë problematike. Vetëm në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë shënuar 9 vatra zjarri, në Vlorë, Elbasan, Dibër, Durrës dhe Tiranë.

Për shuarjen e zjarreve janë angazhuar punonjës zjarrfikës, automjete zjarrfikëse, Forcat të Armatosura të Ushtrisë, punonjës vullnetarë, të Pyjores dhe nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura, etj, të mbështetur dhe nga helikopterë.

Emergjencat njoftojnë se ka vazhduar operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Dukat pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Sipas tyre, zjarri u vendos nën kontroll pasi në ndihmë kanë ardhur 2 avionë nga Greqia, që kanë kryer 2 hedhje me ujë në vatrat e zjarrit që ishin shumë problematike.

Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.

Në lidhje me situatën e zjarreve në vend, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli bëri një bilanc ku theksoi faktin se operacionet për shuarjen e zjarreve kanë kushtuar 30 milion lekë:

"Aksioni për shuarjen e zjarreve ka kushtuar mbi 30 mln lekë të reja, lekë të taksapaguesve. Duhet ti ruajmë pemët kullotat bimët, sepse janë pasuri e jona. Ndaj duhet të tregojmë kujdes edhe me një bisht cigare të hedhur jashtë”, u shpreh Kodheli.

Gjithashtu Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se bashkëpunimi me partnerët ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve që kërkonin ndërhyrje nga ajri.

“Avionët ushtarakë italianë e grek na janë bashkuar në ndihmë. Falënderoj homologen italiane për ndihmën, si dhe Ministrin Bushatin për ndërhyrjen dhe sjelljen nga Greqia për fikjen e zjarreve”, tha Kodheli.

Kreu i emergjencave civile, Shemsi Prençi u shpreh se prej 3 javësh Shqipëria është përballur me 300 vatra zjarri aktive nga të cilat 125 janë shuar me ndërhyrje nga ajri.

“Në të gjithë vendin janë regjistruar 640 vatra gjithsej, 125 prej të cilave kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri. Zjarret problematike thuajse janë shuar, aktualisht ka një vatër zjarri në Skrapar, dhe një në rajonin e tunelit në Kërrabë", u shpreh Prençi.

Situata me zjarret

Situata sipas qarqeve:

Qarku Dibër

Në vendin e quajtur “Gurra e Sllatinës” në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, bashkia Dibër, u krye operacione nga ajri për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u përshkrua një sipërfaqe rreth 20 ha me pemë pishe.

Nje tjeter operacion me helikopter u krye ne Ulëz të Burrelit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 6 dynym me dushk të ulët dhe pemë lisi.

Qarku Vlorë

Ka vazhduar operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Dukat të bashkisë Vlorë, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë. Shërbimi i MZSH Vlorë së bashku me forca ushtarake dhe forca nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura kanë punuar gjatë gjithë ditës së djeshme dhe kanë shuar plotësisht zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 60 ha me shkurre.

Zjarri i rënë disa ditë më parë, në një sipërfaqe me shkurre, në fshatin Tragjas, Njësia Administartive Orikum, bashkia Vlorë ka vazhduar edhe ditën e djeshme. Shërbimi i MZSH Vlorë nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të vështirë. Zjarri u vu nën kontroll pasi në ndihmë kanë ardhur 2 avionë nga Greqia të cilët sipas komunikimeve të bëra në QKOEC, kanë kryer 2 hedhje me ujë në vatrat e zjarrit që ishin shumë problematike. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.

Qarku Elbasan

Në Liqenin e Dushkut, Njësia Administrative Lenie, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Gramsh, ka shkuar në vendngjarje, por e ka pasur të pamundur për të vepruar me automjet zjarrfikës për shkak të terrenit të thyer malor. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre dhe pisha.

Qarku Berat

Tek Parku i Rezervatit të Bogovës, Njësia Administrative Bogovë, bashkia Skrapar, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.

Qarku Durrës

Në fshatin Zgërdhesh, Njësia Administrative Fushë-Krujë, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Krujë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj.

Qarku Tiranë

Në afërsi të tunelit të aksit nacional Tiranë-Elbasan, Njësia Administrative Krrabë, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre.

Në afërsi të Repartit të Gardës, në Malin e Dajtit, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.