Arbëri

Koloneli i pensionuar i FSK-së ofron strehim për familjet turke

Afrim Veseli deklaroi se si kolonel i pensionuar, ka ofruar ndihmë për Turqinë, që t’i ndihmojë qytetarët në tejkalimin e shkatërrimeve nga tërmeti.

Ai deklaroi në SOT të KTV-së të martën, se ka ofruar shtëpinë e tij për një familje dhe i ka nisur letër Ambasadën Turke në Kosovë, që të shkojë drejt Turqisë për shërbim.

“E kam ofruar shtëpinë time për një familje nga Republika e Turqisë që të vijë të strehohet në shtëpinë tonë. Shqiptarët e hapin derën e mikut kur ai ka nevojë. Nëse vjen ajo familje, do të ndajë bukën e kripën ashtu siç e kemi traditë ne”, deklaroi Veseli.

Sipas tij, turqit e prekur nga tërmeti kanë nevojë për tenda, batanije e ushqime, derisa theksoi se ka pritur nga qytetarët dhe bizneset kosovare që t’iu dalin në ndihmë.

“Jam përpjekur të jem në krye të detyrës edhe sa ishte në FSK. Kam pritur nga qytetarët dhe bizneset që të ketë iniciative që të ndihmohet populli turk, sidomos zonat e prekura. Ndoshta do të ndodhë sot kjo. Ata kanë nevojë për batanije, ushqime dhe tenda. Ne kurrë s’duhet të harrojmë 99-n, baza e nisjes për çdo veprim, kur e gjithë bota na ndihmoi shumë...Kur Serbia i largoi mbi 1 milion shqiptarë si refugjatë, e refugjatë ka pasur edhe në Republikën e Turqisë. Besoj se edhe Kosova do të reagoj për ndihma për Turqinë”, tha Veseli.

Ai theksoi se është në gjendje gatishmërie për të fluturuar drejt Turqisë.