Arbëri

Sefaj: Murati e Nagavci na premtuan koeficient prej 120 eurosh gjatë grevës

Ali Sefaj, përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civilë ka thënë se gjatë grevës së zyrtarëve publikë në shtator të vitit të kaluar, ministrat Hekuran Murati e Arbërie Nagavci, u kishin premtuar grevistëve koeficient me vlerë prej 120 eurosh.

Sefaj ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se ka ndryshim qëndrimesh dhe se për këtë do të marrin masa.

“Pritjet kanë qenë shumë më të mëdha. Qeveria gjatë grevave e ka garantuar vlerën e koeficientit prej 120 euro, flasim për ndryshim qëndrimesh, për mashtrim. Do ta dërgojmë ligjin në Gjykatën Kushtetuese sepse promovon pabarazinë dhe stimulohen oborrtarët qeveritarë, ministrat etj, dhe nuk kompensohen dinjitetshëm zyrtarët që i kryejnë punët më të rëndësishme për Republikën. Në takimet që kemi pasur, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ai i Financave, Hekuran Murati, e kanë konfirmuar se vlera do të jetë 120 euro. Ne atëherë na dukej e vogël”, ka thënë Sefaj.

Ai ka bërë të ditur se Ligjin e Pagave do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese përmes Avokatit të Popullit.

Sefaj ka shtuar se përmes koeficientit të publikuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të mërkurën, është krijuar pabarazi e madhe.

“Nuk ka pagë të njëjtë për punë të njëjtë, ka diskriminim qoftë edhe të niveli komunal, pasi u referohet zyrtarëve edhe sipas numrit të popullsisë. Jemi të pakënaqur me këtë vlerë koeficienti pasi nuk e mbulon koston financiare të jetesës sonë si rezultat i inflacionit në tri vitet e fundit. Me këto paga administrata shtetërore nuk mund t’i ruajë kuadrot më të mira të saj”, ka shtuar ai.

Sipas tij, shërbyesit civilë kanë kërkuar vazhdimisht që vlera e koeficientit të jetë 132 euro duke e marrë parasysh inflacionin e vazhdueshëm.