Arbëri

Abdixhiku për koeficientin e pagave: Koeficient i zbrazjes së Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “koeficient të zbrazjes së Kosovës” caktimin e vlerës prej 105 euro në koeficientin e pagave.

Të mërkurën Qeveria ka dërguar në Kuvend propozimin për ndryshim të Ligjit të Buxhetit. Në të është paraparë që vlera e një koeficienti në ligjin e pagave të jetë 105 euro. Sipas kreut të LDK-së, kjo është pandjeshmëri e Qeverisë dhe se me të po shkaktohet braktisja e vendit.

“Koeficienti i zbrazjes së Kosovës! Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi. Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publikë. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka thënë se LDK-ja do të propozojë si amendament në Kuvend që vlera e koeficientit të jetë 125 euro.

“Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend. Një qeveri të shpërputhur nga realiteti, vendi ynë nuk e meriton. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë!” ka shkruar Abdixhiku.

E deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se caktimi i koeficientit më të vogël se 125 është shkatërrim i ekonomive familjare.

“Qeveria cakton koeficientin vetëm 105 euro! Çmimet janë RRITË deri në kulm, Qeveria e ka DYFISHUAR tatimin në pronë, përkrahje ZERO për qytetarët, tash edhe pagat MINIMALE. Në anën tjetër, Qeveria mbanë QINDRA MILIONA euro të pashpenzuara, në këtë kohë KRIZE! Ministrat e kanë lehtë se pagën, xhipat, naftën, darkat ua paguajnë qytetarët me tatimet e tyre, prandaj nuk e ndjejnë krizën financiare të qytetarëve. Koeficienti më i vogël se 125 është shkatërrim i ekonomive familjare”, ka shkruar Mustafa në Facebook.