Arbëri

Mehmetaj: Kurti e ka pranuar deklarativisht Asociacionin

Descriptive Text

Lirim Mehmetaj, kryeredaktor në “Albania Post”, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar deklarativisht formimin e Asociacionit, por e vetmja pengesë, sipas Mehmetajt, është koha se kur do të ndodhë.

I ftuar në “Konfront” të KTV-së, Mehmetaj ka thënë se Kurti dëshiron që njëherë të nënshkruhet marrëveshja në kuadër të planit franko-gjerman e më pas të niset me formimin e Asociacionit.

“Qeveria do të ishte dashur të angazhohet rreth hartimit të statutit. Por Qeveria më shumë shpenzon në reklamim të qëndrimeve sesa në konkretizimin e tyre. Kurti e ka pranuar Asociacionin. Në momentin kur ka ardhur kryeministri në detyrë është dashur të thotë se të gjitha marrëveshjet e kaluara bien poshtë dhe ne do të fillojmë me integrimin e veriut. Por ai nuk e ka bërë. Është pranim pasiv, pa nevojën për ta deklaruar. Ajo marrëveshje është pranuar edhe nga kjo qeveri, rrjedhimisht edhe Asociacioni. Kurti e pranon deklarativisht në intervistën në REL. Çka nuk pranon është që njëherë duhet të arrihet marrëveshja në planin franko-gjerman. Pra, Asociacionin e ka pranuar, por nuk dihet koha”, ka thënë Mehmetaj.

Ai u kundërshtua nga aktivisti Rron Gjinovci, që këmbëngul se Kurti nuk e ka pranuar Asociacionin.

Mehmetaj tutje ka thënë se në bazë të draft-statutit të Asociacionit nga FES-i aty ekziston pushteti i tretë. 

Sipas mendimit të Mehmetajt, Asociacioni nuk duhet të formohet në asnjë mënyrë dhe të kërkohet një kompromis tjetër. Përmendi ripërcaktimin e kufijve si një mundësi.

E kryeredaktorja e “Periskopit”, Dafina Demaku, ka thëmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka një hidhërim pse po përmbyset rendi hierarkik.

“Ai thotë se Asociacioni nuk do të duhej të ishte tash, është një hierarki, nuk është i pari, ka dhjetëra deklarata, që nuk mundemi me mohu se Kurti e ka pranuar Asociacionin”, ka thënë Demaku.


Demaku: SHBA-ja nuk po shantazhon, po i bën favor Kosovës te tema e Asociacionit

Kryeredakatorja e “Periskopit”, Dafina Demaku, ka thënë se SHBA-ja nuk është duke shantazhuar Kosovën, por po i bën një favor asaj sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Demaku në “Konfront” të KTV-së, ka thënë se kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të tejkalojë atë hidhërim se nuk është përmbushur hierarkia e marrëveshjeve të Brukselit.

"Prej vizitës së Cholletit në Kosovë, pastaj kolumna e tij dhe e Gabriel Escobarit e publikuar në KOHË, si dhe diskutimi sot i ftuar nga Ambasada e SHBA-së, gjithë kjo më bën të kuptojë se SHBA-ja nuk po e shantazhon Kosovën. Po i bën një favor Kosovës te tema e Asociacionit. Hidhërimi pse është përmbysur hierarkia e marrëveshjes së Brukselit duhet kaluar, këtë po na tregon aleati kryesor i sigurisë SHBA-ja, po na heq gajle. Po thotë kaloni këtë hidhërim, se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, se s’do të ketë bosnjëzim të Kosovës”, ka thënë Demaku.

Demaku ka thënë se papritmas dialogu është kthyer me “Zajednicë” në qendër.

“Opozita e kërkon llogarinë prej asaj që e ka premtuar Kurti. Dialog me njohje në qendër. Tash papritmas na u bë dialog me ‘Zajednicë’ në qendër”, ka thënë Demaku.