Arbëri

Hasani: Zor t’i iket përgjegjësisë së Asociacionit, Kosova keq që s’propozon zgjidhje

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumë serbe, me premtimin se ky institucion nuk do ta cenojë Kushtetutën e Kosovës.

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një vështrim ekskluziv në KOHA, thanë se Kosovës nuk po i kërkohet imponim i zgjidhjes, por ofrim i vizionit për Asociacionin.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, në një intervistë për KOHËN, foli të hënën për propozimin euro-amerikan, “mundësinë historike të Kosovës” dhe të ardhmen politike të Asociacionit.

Ai ka thënë se Kosova e ka të vështirë t’i ikën përgjegjësisë për Asociacionin, derisa ka shtuar se gabimi më i madh i Kosovës është se nuk ka dalë me një propozim, duke i dhënë lidership vendor tërë procesit.

KOHA: A mendoni se propozimi i zyrtarëve të SHBA-së është pozitiv për Kosovën dhe të ardhmen e saj?

HASANI: Propozimi i zyrtarëve amerikanë është në vijë me detyrimin ndërkombëtar që ka marrë Kosova, kur e ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjen e vitit 2013. Ata vetëm po kërkojnë nga vendi ynë që ky detyrim të vihet në jetë, sipas procedurave kushtetuese që ka Kosova. Detyrimin për një gjë të tillë e ka ekzekutivi i vendit, askush tjetër.

KOHA: Asociacioni, sipas SHBA-së, është mundësi historike për Kosovën. A e cilësoni ju të tillë? Çka humb Kosova nëse nuk themelohet?

HASANI: Ky është një vlerësim politik, që kërkon analizë më të gjatë se në këtë format. Sidoqoftë, ofrimi i garancive nga amerikanët se formimi i Asociacionit nuk do të jetë “Republika Srpska” përbën një bazë të mirë për të lëvizur nga vendi udhëheqësit e Kosovës, të cilët kanë mandat kushtetues dhe politik.

KOHA: Sipas versionit euro-amerikan, çka përfiton Serbia nga Asociacioni?

HASANI: Ajo që shihet qartë nga draftet e deritanishme të asociacioneve, që janë bërë nga ndërkombëtarët, është se synohet ndërtimi i mekanizmave shtesë për mbrojtjen e serbëve lokalë. Si pjesë e këtyre mekanizmave është edhe një rol i caktuar i shtetit serb në Kosovë dhe kjo përbën problem në vete, veçanërisht mosdefinimi preciz i rolit të shtetit serb në Kosovë.

KOHA: A cenohet Kushtetuta e Kosovës nga ky format i Asociacionit?

HASANI: Meqë nuk ka një draft zyrtar për diskutim, vështirë të thuhet se çfarë fitohet e çfarë humbet. Draftet e deritanishme, në një pjesë që flasin për autorizimet statutore të Asociacionit, qartë tejkalojnë kompetencat e tij kushtetuese, ashtu siç janë definuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Përveç kësaj, çështja e definimit të Kuvendit të Asociacionit si kuvend konstituiv dhe si organ suprem, gjithashtu përbën një problem më vete. Ka edhe të tjera vërejtje serioze, sepse me akt normativ nënligjor synohet të normohen kompetencat kushtetuese të organeve qendrore. Këto vërejtje lidhur me këto tejkalime kushtetuese, megjithatë, nuk mund ndreqen duke ikur nga dialogu, por duke u futur në të dhe duke treguar qartë pozicionin tënd (të Kosovës v.j.) zyrtar. Gabimi më i madh është që pala jonë nuk po del me propozim të vetin, duke i dhënë lidership vendor tërë procesit. Asnjë shoqëri civile dhe asnjë strukturë tjetër nuk mund të marrë përgjegjësinë për zbatimin e detyrimit ndërkombëtar të vendit, pos atyre të përcaktuar me Kushtetutë. Meqë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që udhëzon qartë se çfarë duhet të përmbajë Statuti i Asociacionit, gabim i madh ka qenë dhe është ikja nga përgjegjësia, me shpresë se të tjerët do ta kryejnë punën që nuk iu takon me Kushtetutë. Siç e thashë, ky detyrim duhet të zbatohet ekskluzivisht nga ekzekutivi i vendit, sepse ka pasur një votim në Kuvend dhe detyrimit ndërkombëtar vështirë se mund t’i iket. Çdo shtyrje prodhon pozitë më të keqe për vendin.