Arbëri

VV ndërhyn në debatin Molliqaj – Stavileci, këtë të fundit e quan servil “të vockël” të Veselit

Në kuadër të debatit të ashpër mes anëtarit të PDK-së, Blerand Stavileci, dhe deputetit të ri të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka hyrë e tërë partia e këtij të fundit.

VV, përmes një reagimi dërguar mediave, i është sulur Stavilecit me akuza për servilitet, ndërsa partisë së tij për kapje të shtetit.

Partia LVV madje ka thënë se PDK do të jap përgjigje për vdekjen e Astrit Deharit, aktivistit të VV-së i cili vdiq në qendrën paraburgimit në Prizren 9 muaj më parë.

Më poshtë ju sjellim të plotë reagimin e VV-së:

Blerand Stavileci nuk ka bindje as mendim. Ai është një servil i vockël që i shërben shefit. Fillimisht Hashim Thaçit, pastaj Kadri Veselit, pse jo, nesër edhe tjetërkujt. Servili mund ta ndërrojë shefin, por pa të s'bën dot. Kjo punë e ulët nuk njeh dinjitet. Suksesi i servilëve matet me shkallën e instrumentalizimit. Nganjëherë, ata duhet ta tejkalojnë edhe nivelin e të zotit për ta dëshmuar besnikërinë. Kjo pra është merita e Blerand Stavilecit për t'u bërë ministër.

Ata që kanë shkelur gjakun e dëshmorëve, po hedhin akuza drejt nesh se duam pushtet përmes gjakut; ata që për ta mbajtur pushtetin e bënë Kosovën pre të aspiratave shoviniste të Serbisë, na akuzojnë për gjoja lidhje me Serbinë; ata që e kanë kapur shtetin, tash që i kanë humbur zgjedhjet, akuzojnë se duam ta marrim pushtetin përmes dhunës. Akuzojnë pikërisht sepse u frikësohen akuzave nga shteti i së drejtës që nuk njeh shefa. Siç duket vetëm tash, afër 2 muaj pas zgjedhjeve, PDK ka filluar ta ndjejë goditjen e madhe që ka marrë më 11 qershor. Ne e dimë se janë të frikësuar, por vetëm ata e dinë sa shumë kanë vjedhur - pra sa shumë kanë çfarë të humbasin. Për Astrit Deharin do të përgjigjeni, dhe për këtë ju garantojmë; kurse për milionat e bëra përmes krimit e korrupsionit, e kemi gati ligjin anti-mafia.

Ky vend do të çlirohet me çdo kusht! Pavarësisht se nuk do klani Pronto. Në fakt, pikërisht përkundër tij. Për këtë i detyrohemi të rënëve!