Arbëri

Spahiu: Dyshohet se Qeveria serbe vendosi ta heqë qafe Ivanoviqin për t’ia mbyllur gojën

Analisti Nexhmendin Spahiu ka dhënë një version se pse mund të jetë vrarë ish-politikani serb Oliver Ivanoviq. Ai ka thënë se mbetet spekulim, megjithatë tregoi se dikush e kishte spiunuar Ivanoviqin te Qeveria serbe dhe për këtë ishte vrarë.

Spahiu në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Ivanoviqi ka pasur në mendje t’i bëjë publikë emrat e kriminelëve të luftës.

“Arsyet tash vetëm mund t’i spekulojmë, por një është kur Vuçiq ka dashur ta ketë kontrollin e plotë mbi skenën politike të serbëve në Kosovë. Pas vrasjes së Oliverit askush s’ka marrë guximin në veri të kundërkandidojë ndaj Listës Serbe. Ky është efekt i drejtpërdrejt i vrasjes së tij. Kam dëgjuar spekulime, dikush nga ndërkombëtarët e ka spiunuar te Qeveria e Serbisë se po do t’i qesë emrat e kriminelëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, në kuadër të procesit gjyqësor për ta mbrojtur veten nga këto akuza. Kemi njerëz që kanë shpëtuar nga masakra ku ai akuzohet se e ka komanduar atë. Shtrohet pyetja nëse ka mundur dikujt t’ia shpëtojë jetën, pse s’ka mundur t’i shpëtojë të gjithë. Spekulohet që ai kur ka filluar t’i qesë emrat, Qeveria e Serbisë ka vendosur ta heqë qafe që të mbulojë zbardhjen e kriminelëve që kanë marrë pjesë në masakra gjatë luftës në Kosovë. Nuk e di sa është e vërtetë”, ka thënë Spahiu.

Ndërkohë, për mesazhin e kryeministrit Albin Kurti në përvjetorin e Ivanoviqit, Spahiu ka theksuar se ka qenë akt politik i Kurtit.

“Ka qenë akt politik i kryeministrit dhe ka qenë në rregulla ta kujtojë në viktimë politike. Deklarata e Kurtit është një lloj arsyetimi për moszbardhjen e rastit duke arsyetuar institucionet të cilat ai nuk ka përgjegjësi sepse prokuroria, gjyqësia janë të pavarura, por ato janë pasqyrë e shtetit megjithatë”.

Spahiu ka shtuar se Ivanoviqi ka qenë arsyeja pse në veri të vendit sot jetojnë serbë. Ka deklaruar se por të mos ishte Ivanoviqi, nuk do të kishte as serbë në Kosovë tani.

“Ajo që ka ndodhë pas luftës kur shteti serb është mposhtur, ka qenë Oliveri ai që e ka organizuar serbët lokalë për të mos i lënë shqiptarët të kthehen në veri, t’i mbrojë serbët nga dëbimi dhe mos të ishte ky veprim i tij, në veri të Mitrovicës nuk do të kishte serbë, nuk do kishin as universitet, as institucione paralele. Pas 23 viteve nuk do kishte më fare serbë në Kosovë, sikur Peja shembull ta kishte një Oliver Ivanoviq, edhe Peja do të ishte e ndarë. Nuk mund të themi që Ivanoviq ka qenë lojal ndaj shtetit të Kosovës, ka qenë ndaj Serbisë, por ka qenë urë komunikimi. Ka folur shqip, ka folur me gazetarë”, ka përfunduar Spahiu.