Arbëri

Tahiri-pushtetit: Votojeni Trustin, 51%-shi i para 2 vjetësh po e shkel vullnetin e 99% të qytetarëve

Besnik Tahiri - AAK

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka bërë thirrje pushtetit që të përkrahë kërkesën e 17 mijë qytetarëve për tërheqjen e deri në 30 për qind të kursimeve pensionale të Trustit.

Në një postim në Facebook ai ka pyetur Qeverinë se për interesa të kujt po punon dhe deputetëve të pushtetit u ka kërkuar që të votojnë ndryshimin e Ligji për fondet pensionale të Kosovës.

“Mjetet e Trustit janë para së gjithash mjete të qytetarëve. Qeveria ka më shumë rol kujdestarues për to. Mohimi i qasjes dhe shfrytëzimit të një përqindje nga vet kontributdhënësit, është qasje nënshtruese në emër të barazisë dhe sigurisë sociale. Kjo Qeveri as pas dy vitesh nuk po arrin ta kuptojë se e vetmja rrugëdalje nga varfëria është zhvillimi ekonomik dhe njerëzor. Për interesa të kujt po punoni? Pse mos të lihet një periudhë 1 mujore për ata që duan ta tërheqin një pjesë të kontributit të tyre. Do ta kuptonit që 99% e qytetarëve do ta shfrytëzonte atë mundësi”, është shprehur Tahiri.

Megjithëkëtë sipas Tairit, pushtetarët e kanë ndarë mendjen dhe siç ka thënë ai, po ushtrojnë një dhunë të dyfishtë mbi njerëzit. “Po mohoni mjetet si dhe po dhunoni vullnetin e lirë. Krejt kjo në emër të asaj se ju po shihni dhe po dini se çfarë na pret pas 10, 15, 20 viteve, përderisa as sot e kësaj dite, nuk jeni të aftë ta definoni as vlerën e një koeficienti të pagës. 51%-shi i para dy vjetësh po e shkel vullnetin e 99% të qytetarëve”, ka shkruar Tahiri.