Arbëri

Sytë e KFOR-it në qiellin e Kosovës

Në periferi të kryeqytetit, në një prej zonave më të larta të tij, e njohur si “Film City”, pilotët e KFOR-it nisin patrullimet e tyre rutinore me helikopter në pjesë të ndryshme, për të mbikëqyrur e eventualisht për të evidentuar situata, që mund ta rrezikojnë sigurinë. Paralelisht pjesëtarët e forcës së NATO-s në Kosovë përmes rrugëve tokësore vizitojnë rajone deri më të thellat për të komunikuar me qytetarët dhe mirëmbajtur raportin e besimit të ngjizur qysh më 1998

Prishtinë, Mitrovicë, dhjetor – Misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, i duhen më pak se dhjetë minuta për të mbërritur në veri të Kosovës nga baza qendrore në Prishtinë. Natyrisht, me helikopter.

Në periferi të kryeqytetit, në një prej zonave më të larta të tij, e njohur si “Film City”, pilotët e KFOR-it i nisin patrullimet e tyre rutinore me helikopter në pjesë të ndryshme, për të mbikëqyrur e eventualisht evidentuar situata, që mund të dërgojnë deri në destabilizimin e situatës në vend.

E situata në komunat veriore gjatë muajit dhjetor ishte e tensionuar si pasojë e zhvillimeve politike që rezultuan me vendosje të barrikadave nëpër rrugët që e lidhin veriun e Kosovës me pjesën tjetër të saj.

Gjendje kjo e përcjellë me vigjilencë nga forcat e KFOR-it, të cilat që nga paslufta ruajnë Kosovën brenda kufijve të saj.

Fluturimi disaminutësh

Në një prej ditëve të mesdhjetorit, ekipi i KOHËS pati mundësinë të përcillte këto patrullime duke u bërë pjesë e tyre.

Që nga mëngjesi e deri pas mesditës, tre pilotët zviceranë drejtuan helikopterët në zonën e ulët ajrore të Kosovës. 10 ulëset e helikopterit shpeshherë nuk mbushen krejtësisht me pjesëtarë të NATO-s dhe njësia zvicerane është e vetmja ajrore në kuadër të KFOR-it që tash për tash lejon civilë në ekuipazh për të parë nga afër punën e tyre.

Në një ditë të ngrohtë në Prishtinë, tre pilotët zviceranë u bënë bashkë me disa pjesëtarë italianë, e me ekipin e grupit KOHA, për të udhëtuar edhe në pjesën veriore. Mitrovica, Liqeni i Ujmanit dhe Peja ishin destinacionet e planifikuara, të cilave pilotët iu referoheshin si “Mitrovica, Gazivoda, e Peć”.

Pasi vënë dorëzat në duar e helmetat në kokë, pilotët hynë në kabinën drejtuese të helikopterit, ndërsa njëri nga ta qëndron mbrapa me ekuipazhin për të hapur e mbyllur derën, sa herë që do të kishte nevojë për të filmuar. E dera qëndron pothuajse tërë kohën e hapur, ngase nuk kishte pamje nga lartësia që nuk dukej interesante për njerëzit që perspektivën e kanë çdoherë nga toka.

Nuk merr shumë kohë kur fluturon e nuk kalon nëpër rrugët e ngarkuara me automjete për të ndryshuar pamja e rrjedhimisht realiteti në terren. Shfaqen fushat e vërshuara nga uji i një nate më parë në Komunën e Vushtrrisë. Pas kësaj vjen Mitrovica që njihej dikur si “zemra” industriale e Kosovës e pasluftës u bë simbol i ndarjes me gjithë ironinë e urës së madhe që lidh dy anët e qytetit.

Posa kalon lumin e nisin rrugët gjarpërore për në pikat kufitare me Serbinë, shfaqen edhe barrikadat e vendosura nga Serbët gjatë muajit dhjetor. Udhët që të çojnë në dy pikat kufitare Bërnjak e Jarinjë mbesin akoma të bllokuara nga kamionët e mëdhenj që ruhen nga serbë të organizuar në tendat e ngritura përskaj.

Bukuria dhe rëndësia e Ujmanit

Harkimet e fluturimit të kthejnë kah një peizazh që përveç bukurisë që jep, prodhon edhe 30 megavatë të energjisë elektrike, furnizon me ujë disa komuna dhe ka rol kyç në funksionimin e industrisë së rëndë. Është Liqeni i Ujmanit, 9.2 kilometra katrorë të të cilit janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 në atë të Serbisë. Çezma e këtij liqeni artificial furnizon shtatë komuna në jug dhe veri të lumit Ibër, e në raste të thatësirës, nëpërmjet Ujmanit mbushen edhe dy liqenet e tjera artificiale, Batllava dhe Badovci.

Ishte shiu që i dha fund fluturimit. Pilotët me keqardhje njoftuan se udhëtimi për në Pejë nuk mund të realizohet për shkak të kushteve atmosferike.

Megjithatë, KFOR-i nuk sheh veç nga lartësia.

Image
Image

Sytë e veshët e KFOR-it në terren

Ushtarët e kësaj force çdo ditë dalin me vetura nëpër rajonet më të thella e nëpër fshatra e të gjitha komunat e Kosovës, si pjesë e Ekipeve Monitoruese Ndërlidhëse (LMT). Logoja që bartin ata në uniforma e në vetura me të cilat udhëtojnë, për pensionistin Hetem Kupina do të thotë çlirim. Sa herë që ai takohet me Ekipet Monitoruese Ndërlidhëse i kujtohet dita kur pas intervenimit të NATO-s iu mundësua kthimi nga Kanadaja në vendlindjen e tij, në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës.

Tani ai është kryetar i Këshillit të Sigurisë për fshatrat e Prishtinës, ku takimet me pjesëtarë të KFOR-it nuk i ka të pakta. Të paktën një herë në muaj i pret në një dhomë të Bashkësisë Lokale në Bardhosh, të cilën në një ditë dhjetori e ngrohte me një pajisje të vogël elektrike.

Flet me krenari për harmoninë e banorëve pavarësisht etnisë që mbizotëron në këtë pjesë, e meritat ia atribuon edhe KFOR-it.

“E kemi thënë me bindje se aty ku nuk ka liri të lëvizjes, liri të veprimit, liri për të jetuar e punuar, nuk ka jetë, kështu mendojmë dhe kështu e kemi bindjen”, ka thënë ai.

Ekipet monitoruese ndërlidhëse, që konsiderohen si “sytë dhe veshët e komandantit të KFOR-it”, bashkëpunojnë me këshillat e sigurisë për të evidentuar ndonjë tension apo rrezik potencial ndërmjet komuniteteve.

Këshillin e Sigurisë të 17 fshatrave të Prishtinës, i cili vepron me zyrë në Bardhosh, togeri Alessandro Marino që nga gushti bashkë me kolegët e tij e vizitojnë rregullisht për të analizuar bashkëpunimin.

Që nga marrja e detyrës, asnjëherë nuk ka vërejtur tensione mes shqiptarëve dhe serbëve në këtë zonë. “Ky është një shembull se si duhet të jetë në gjithë vendin. Fokus i veçantë për ne është që popullata të bashkëpunojë me njëri-tjetrin e jo me KFOR-in, kjo na lumturon. Ne jemi dëshmitarë që kjo është duke ndodhur në këtë zonë”, ka thënë togeri Marino.

Mirënjohja e qytetarëve

Monitorimin në Kosovë e kualifikon si punë të lehtë, pasi vlerëson se shqiptarët dhe italianët, sidomos me ata të Sicilisë, e cila është origjina e tij, kanë sjellje të ngjashme.

Në janar përmbyllet misioni i tij në Kosovë, ndjenja e vlerësimit dhe e mirënjohjes janë përshtypjet që thotë se do t’i mbajë si kujtime tërë jetën. Interesimi i qytetarëve për të bërë fotografi i bëri përshtypje.

“Do të befasohesh kur të them se edhe të rinjtë, madje edhe fëmijët na përshëndesin dhe shpeshherë na përqafojnë. Kjo mendoj se është më shumë për shkak se prindërit dhe gjyshërit e tyre u kanë treguar për ne. Mirëpo dashuria e tyre ndaj nesh është e papërshkrueshme”, ka thënë togeri Marino.

Deklarimi i tij u vërtetua menjëherë, me të dalë nga zyra pas takimit me Këshillin e Sigurisë, ku dy fëmijë të cilët qëndronin aty pranë me gëzim iu afruan pjesëtarëve për t’i përshëndetur. Fëmijët që vijonin mësimet në ciklin e ulët mundoheshin që t’i shprehnin shkathtësitë e tyre në të folurit në gjuhën angleze. Uniforma e pjesëtarëve të misionit paqeruajtës, njërin nga djelmoshat e asocionte me punën e njësive të sigurisë vendore.

“Axha im punon si polic në veri, edhe babai im punon në Polici këtu”, iu tregonte djaloshi ushtarëve italianë.

Me mirësjellje pjesëtarët e KFOR-it e pyesin djaloshin nëse dëshiron të bëhet si babai dhe xhaxhai i tij, por ai nuk u përgjigjet.

Ecja e tyre në rrugët e fshatit Bardhosh u prit me entuziazëm edhe nga të moshuarit, të cilët nuk hezitonin të bisedonin me ta, me gjithë barrierën gjuhësore.

Zejnullah Krasniqi me ëndje i pyeste ushtarët nëse janë adaptuar duke qëndruar larg familjeve të tyre. “Ne u jemi falënderues për punën që e bëni, pasi për t’u përkujdesur për ne, ju keni lënë edhe familjet e juaja. E di ndjenjën kur anëtarët e familjes nuk i keni afër, pasi djemtë më kanë shkuar në kurbet”, ka thënë Krasniqi, i cili insistonte që përkthyesja t’u tregonte se sa mirënjohës janë shqiptarët për kontributin e tyre.

Përderisa priste autobusin për të shkuar në kryeqendër, Krasniqi u tregonte se sa e dhimbshme do të jetë nëse një ditë KFOR-i do të largohet nga Kosova.

“Nuk besoj se do ta përjetoj, po nëse e mbërrij atë ditë, e di që do të qaj”, u shpreh ai.