Arbëri

Hasani: Ushtria serbe mund të rikthehet vetëm nëse lidh marrëveshje me Kosovën

Ushtria serbe mund të rikthehet vetëm nëse Serbia lidh një marrëveshje me Kosovën për prani ushtarake, gjë për të cilën duhet të parashtrojë kërkesë por që kurrë s’e ka bërë, ka thënë profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani. Në një intervistë për KOHËN, Hasani ka sqaruar se rikthimi i Ushtrisë serbe duke u bazuar në dispozitat e Rezolutës 1244, siç i ka bërë Serbia, nënkuptojnë shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, komprometim të pavarësisë së saj dhe ftesë për konflikt të ri mes të dyja shteteve.

Hasani ka thënë se për të pasur prezencën e vet ushtarake, Serbia duhet të nënshkruajë Marrëveshjen për Statusin e Forcave (SOFA) me Kosovën, që kjo e fundit më pas edhe ta lejojë një gjë të tillë. Dhe, duke u mbështetur në Rezolutën 1244, Serbia nuk mund të kërkojë rikthim të ushtrisë.

KOHA: Janë mbushur më shumë se dy javë qëkur Serbia i adresoi kërkesë zyrtare KFOR-it për kthimin e një pjese të trupave ushtarake në Kosovë. Por, KFOR-i nuk i ka kthyer ende përgjigje. Cilat janë gjasat që të miratohet kërkesa e Serbisë?

Enver HASANI: Nuk është hera e parë që kjo kërkesë bëhet. E ka bërë edhe i ndjeri Zoran Gjingjiq. Këtë herë, megjithatë, gjërat qëndrojnë më ndryshe dhe madje për disa arsye: e para, Kosova ka shpallur Pavarësinë dhe është një shtet sovran dhe i pavarur; e dyta, ajo pavarësi nuk është shpallur në kundërshtim më të drejtën ndërkombëtare; dhe, e treta, së fundi, çdo zbatim i Rezolutës 1244 për sa i përket prezencës së huaj ushtarake kërkon miratimin e një marrëveshjeje bilaterale, e cila në të drejtën ndërkombëtare quhet SOFA, mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nuk mund të bëhet në bazë të Rezolutës 1244.

KOHA: Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lejon mundësinë e rikthimit të një pjese të trupave serbe për detyra specifike. Sa përbën argument të mjaftueshëm kjo rezolutë për miratimin e kërkesës së Serbisë?

Enver HASANI: Rezoluta 1244 ka fuqi juridike në Kosovë, sepse me rastin e shpalljes së Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës ka pranuar detyrimet që rrjedhin nga ajo, pa specifikuar dispozitat konkrete të saj. Kjo nënkupton që Kosova do të zbatojë vetëm ato dispozita që nuk komprometojnë sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Ndryshe do të ishte një absurd i llojit të vet akti i shpalljes së Pavarësisë. Me Deklaratën e Pavarësisë, Kosova ka pranuar Rezolutën 1244 vetëm sa u përket çështjeve të sigurisë dhe paqes rajonale dhe ndërkombëtare, asnjëherë në pjesën që ka të bëjë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të një shteti nga i cili është shkëputur dhe ka fituar njohjen ndërkombëtare nga pjesa dërrmuese e vendeve të botës, krejt kjo e konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

KOHA: Cilat konsideroni se janë argumentet juridike që mund të vihen në funksion për ta refuzuar kërkesën e Serbisë?

Enver HASANI: Argumentet juridike janë krejtësisht të qarta: e para, prezenca ushtarake në Kosovë, e cilësdo fuqi të huaj, mund të jetë vetëm në bazë të pëlqimit të autoriteteve të Kosovës në baza bilaterale (përmes një SOFA të re); e dyta, prezenca ushtarake në Kosovë në bazë të kapitullit VII të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të bëhet vetëm në rast të prishjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare ose kërcënimit për një gjë të tillë, gjë që nuk është rasti, sepse Kosova deri më sot ka treguar përgjegjësi të lartë për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare. Edhe sikur të kishte prishje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, prapëseprapë do të duhej një rezolutë tjetër e Këshillit të Sigurimit: në bazë të Rezolutës 1244 të KS vetëm KFOR-i mund të qëndrojë në Kosovë dhe madje mbi bazën e një pëlqimi të dhënë nga ana e Kosovës më datën 17 shkurt 2008. Vendet e tjera që kanë prani ushtarake jashtë KFOR-it atë e kanë, sepse Kosova ka lidhur SOFA me to. Serbia në këtë drejtim, deri më sot, nuk ka paraqitur një kërkesë për një marrëveshje të tillë. Çdo rikthim i tyre, duke u bazuar gjoja në dispozitat e tejkaluara të Rezolutës 1244, do të thotë shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, komprometim i pavarësisë së saj ndërkombëtare dhe ftesë për një konflikt të ri mes dy vendeve.