Arbëri

Saranda Ramaj e KOHËS merr çmim për mbrojtje të të drejtave të fëmijëve

Gazetarja Saranda Ramaj e Grupit KOHA është fituese e çmimit vjetor për gazetari në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, nga koalicioni i organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF).

Ramaj mori çmimin me serinë e hulumtimeve për keqpërdorimet që u janë bërë fondeve për trajtim jashtë vendi, për pacientët e sëmurë rëndë. Në këtë seri, u bënë publike shkeljet e të drejta të fëmijëve dhe abuzimi i fondeve të parashikuara për ta.

Çmimet po ashtu janë ndarë edhe për gazetarët Dafina Halili nga Kosovo 2.0 dhe Donjeta Murselaj nga Klan Kosova. Ndërsa, çmimet vjetore për mbrojtjen e fëmijëve “Mik i fëmijëve” i morën Burim Piraj, Mejreme & Avdullah Kadriu, Luan Sallahi, Shpresa Xhakli dhe Atije Idrizaj.

Të gjitha këto tema kishin të bënin me fëmijët për mbrojtjen dhe të drejtat e tyre, duke filluar nga autizmi deri tek kushtet elementare për shkollim dhe një mirëqenie më të mirë.