Arbëri

Hyseni: Jo rrallë gjatë historisë në Ballkan, një plumb i shkrepur ka shënuar fillimin e një lufte

Descriptive Text

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, duhet të marrin vendim për shtyrjen e zgjedhjeve në veri.

Ai ka theksuar se presidentja Osmani nuk ka qenë në dijeni për potencialin shpërthyes në veri para se të shpallte datën e zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave veriore.

Sipas tij Kurti e Osmani sot duhet t'i drejtohen popullit dhe të marrin vendim për shtyrjen e zgjedhjeve në veri “deri në krijimin e rrethanave normale”.

Hyseni ka thënë se Osmani duhet të japë përgjigje lidhur me datën e zgjedhjeve, pas situatës së krijuar në veri.

Ai ka ngritur shqetësimet për mundësinë e fillimit të një lufte të re në Ballkan.

“Në Ballkan, jo rrallë gjatë historisë, një plumb i shkrepur ka shënuar fillimin e një lufte shkatërrimtare. Kur shpërthejnë konfliktet, kot identifikon fajtorët, sepse pasojat i bartë qytetari”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Ai ka theksuar se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është ligjor, por se sipas tij presidentja duhet të japë përgjigje nëse tani mund të zhvillohet një proces normal i zgjedhjeve.

“Presidentja Osmani kishte vendosur të caktonte një datë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Askush nuk e konteston ligjshmërinë e këtij vendimi në një situatë normale. Por, a ishte Presidentja Osmani në dijeni për potencialin shpërthyes në veri para se të bënte këtë hap?!. A ishte konsultuar ajo me organet kosovare të sigurisë?! A mund të zhvillohet një proces zgjedhor normal në një situatë jonormale, e madje edhe shpërthyese?! Përgjigja në këtë pyetje është jo! Por përgjigja duhet të jepet nga vet presidentja, sidomos tani pas situatës më të re të krijuar në veri me shkrepje armësh dhe plagosje policësh”, ka shkruar Hyseni.

Ai ka deklaruar se Osmani e kryeministri Albin Kurti, duhet të dalin para popullit dhe tregojnë çfarë zgjedhjesh do të mbahen në veri. “A ka kushte për mbajtjen e tyre apo ato duhet të shtyhen që të evitohet eskalimi i mëtejshëm i situatës. Pothuaj çdo veprim e vendim diletant e amatoresk i Kurtit dhe Osmanit në veri muajve të fundit ka qenë i gabuar! Sot veriu është tërësisht në duart e bandave e grupeve kriminale serbe atje, të cilat dirigjohen nga presidenti serb Vuçiq, i cili si gjithmonë kërkon dhe është në pritje edhe të pretekstit më të vogël për të aktivizuar skenarët më të errët në veri”, ka shkruar Hyseni.