Arbëri

Britania sanksionon Milan Radoiçiqin e Zvonko Veselinoviqin

Tregtari i armëve Slobodan Teshiq, nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq janë në listën e personave ndaj të cilëve Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe ka vendosur sanksione.

Siç thuhet në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë, ministri, James Cleverley njoftoi një valë të re sanksionesh që synojnë "aktorët e korruptuar dhe ata që shkelin dhe abuzojnë të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale në konflikt".

“Kjo valë sanksionesh, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut”, thuhet në njoftim.

Milan Radoiçiq, një biznesmen i përfshirë në industrinë e ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe, dyshohet se ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t'i dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të tij të ndërtimit. Po ashtu thuhet se Zvonko Veselinoviq, “biznesmen i industrisë së ndërtimit në Kosovë” shfrytëzon kontratat publike për të përvetësuar fondet shtetërore.

Ndërkaq, Slobodan Teshiq, një tregtar i njohur armësh nga Serbia, akuzohet për ryshfet ndaj kryeprokurorit të shtetit të një vendi tjetër.