Arbëri

Kandidati i PDK-së për kryetar të Zubin-Potokut: Zgjedhjet s’duhet të anulohen

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se zgjedhjet në komunat veriore nuk duhet të anulohen.

Zeqiri ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se do të humbte kredibiliteti dhe ligjshmëria e Kosovës nëse zgjedhjet e planifikuara në veri do të shtyheshin.

“Duhet të mbahen zgjedhjet për shkaqe të moskredibilitetit shtetëror dhe juridik të Kosovës. Nëse shpallim zgjedhjet dhe detyrohemi të tërhiqemi ose t’i shtyjmë, atëherë duket se po humb kredibilitet vetë ligjshmëria e Kosovës. Jam i vendosur me ekipin tim për të punuar fuqishëm që të dalim në zgjedhje. Ndajmë të njëjtin mendim edhe me kryesinë e PDK-së”, ka thënë Zeqiri.

Sipas tij, një shumicë serbe ka bojkotuar gjithçka, por jo të gjithë.

“Duhet të punojmë që të mos krijojmë boshllëqe institucionale pa e vrarë mendjen se do të jetë diçka e dhunshme. Për trevën e Çabrës ka kushte që të mbahen zgjedhjet, jam i bindur 100 për qind. Në Çabër do të jetë një qendër votimi. Në lokacionet tjera nuk mund të mbahen për shkak të bojkotit dhe shkaqeve të tjera. Urojmë që organet e sigurisë të jenë mirë të konsoliduara dhe gjithçka të jetë në harmoni”, është shprehur Zeqiri.

Ai ka thënë po ashtu se është kërcënuar nëpërmjet telefonit nga një person i cili ka folur në gjuhën serbe e i cili i ka thënë se ai nuk është i dëshiruar si kryetar i komunës.

Zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor. Ndërkaq, zgjedhjet për kuvendet komunale në komunat Zveçan dhe Leposaviq do të mbahen më 25 dhjetor.

Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë të mërkurën në një konferencë për media se Policia e Kosovës i posedon të gjitha kapacitetet e nevojshme, për t’i garantuar proceset e nevojshme në Kosovë.

“Po presim planin e KQZ-së lidhur me aktivitetet e parapara që ky proces të vejë mbarë. Në bazë të këtij plani, Policia bën vlerësime dhe rekomandime për institucionet politike vendimmarrëse, që përfundon me vendimin e presidentes”, ka deklaruar ai.