Arbëri

BE-ja do t’u kërkojë Kosovës e Serbisë përparim konkret drejt marrëveshjes finale

Descriptive Text

“Ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim përparim konkret nga të dyja palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”, thuhet në draftin e deklaratës që pritet të miratohet të martën në Samitin e Tiranës, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA. “Kjo është thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që palët të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre evropiane përkatëse”

Tirana do të jetë të martën nikoqire e ngjarjes më të rëndësishme që Bashkimi Evropian ka organizuar ndonjëherë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në përmbyllje të samitit BE-Ballkani Perëndimor është planifikuar të miratohet një deklaratë, drafti i së cilës përmban edhe një pikë që i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të shënojnë përparim konkret drejt marrëveshjes finale mes të dyja vendeve.

“Ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim përparim konkret nga të dyja palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”, thuhet në draftin e deklaratës, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA. “Kjo është thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që palët të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre evropiane përkatëse”.

Në muajt e fundit komuniteti ndërkombëtar ka rritur trysninë mbi të dyja vendet me qëllim të përshpejtimit të një zgjidhjeje pas tensioneve të krijuara në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Përfaqësuesit serbë në institucione lokale dhe qendrore u dorëhoqën pas përcaktimit të Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin për konvertimin në RKS të targave ilegale të lëshuara nga Serbia. Qeveria pezulloi vendimin muajin e shkuar, por tensionet kanë mbetur në këtë pjesë.

Në draftin e deklaratës që pritet të nxirret në fund të samitit të Tiranës u bëhet thirrje të dyja shteteve për t’i kontribuuar paqes.

“Ne ritheksojmë pritshmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe/ose provokuese që mund të çojnë në tensione, dhunë dhe retorikë që nuk është e favorshme për dialogun”, thuhet në pikën e nëntë të draft-deklaratës. “Ne ua kujtojmë të dyja palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të garantuar paqen dhe stabilitetin”.

Në samit Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, ka konfirmuar Presidenca.

“Me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Tiranë, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës. “Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit”.

Edhe homologu serb i Osmanit, Aleksandar Vuçiq, do të jetë në samit. Ai pati paralajmëruar se nuk do të merrte pjesë në këtë ngjarje, por të hënën ka thënë se mosshkuarja e tij do të ishte dëm i madh për Serbinë.

“Nuk jam i sigurt, por me siguri do të ketë, ose shpresoj se do të ketë ndonjë përfitim nga shkuarja në Tiranë. Me siguri do të ishte një dëm i madh për vendin tonë nëse nuk shkoj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Ndoshta do të tregoja se kotësia ime është më e fortë dhe më e madhe, por sigurisht që do të ishte një dëm i madh për vendin, në terma të tërheqjes së investimeve dhe gjithçka tjetër”, ka thënë ai. “Ndoshta kolegët e mi kanë të drejtë kur thonë se është më mirë të dëgjosh të paktën një përgjigje sesa të mos dëgjosh asgjë. Pra, unë nesër do të shkoj atje dhe do të luftoj për popullin tonë”.

Në samit do të jenë edhe liderët e katër vendeve të tjera të rajonit – krahas Shqipërisë, edhe liderët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Në të do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe vendeve anëtare.

Mes pjesëmarrësve në Samit do të jenë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, por edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, një kritik i politikave të BE-së.

Pjesëmarrës të tjerë që do të përfaqësojnë vendet e BE-së janë: kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kancerlari i Austrisë, Karl Nehammer, kryeministri i Belgjikës, Aleksandër de Croo, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederikse, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, kryeministri i Irlandës, Micheal Martin, kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, kryeministri i Lituanisë, Ingrida Simonyte, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, kryeministri i Maltës, Robert Abel, kryeministri i Holandës, Mark Rutte, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, dhe kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersso.

Temat kryesore për të cilat do të diskutohet në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë do të kenë në fokus luftën në Ukrainë, migracionin, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe përforcimin e sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.

Bazuar në agjendën e publikuar, për në orën 10:15 është paraparë mbërritja dhe mirëpritja zyrtare, nga ora 11:00 është planifikuar diskutimi e shkëmbimi i mendimeve, nga 11:45 fotografia e përbashkët, nga 12:15 seanca plenare dhe dreka e punës, kurse nga 14:30 konferenca për shtyp.

Në krye të rezolutës që pritet të miratohet në Samitin e Tiranës do të trajtohet çështja e agresionit rus në Ukrainë.

Në pikën e parë të draftit të këtij dokumenti që e ka siguruar KOHA, theksohet se lufta e përshkallëzuar e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane e globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në një nga pikat e draft-deklaratës theksohet se qëndrimi së bashku me BE-në është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, ndërsa Rusia përshkallëzon luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës.

“Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin përgjegjësi të ndërsjella dhe vlera të përbashkëta. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne i nxisim ata të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së (CFSP) dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së”, thuhet në dokument. “Ne përgëzojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që tashmë po demonstrojnë angazhimin e tyre strategjik në këtë drejtim duke u përafruar plotësisht me CFSP-në e BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë këtë, të ndjekin shembullin”.

Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk e ka pasuar Perëndimin në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Në dokument BE-ja “rikonfirmon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor” dhe bën thirrje për “përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, i cili është në interesin tonë të përbashkët, bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave”.

BE-ja mirëpret përparimin e bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugët e tyre përkatëse në BE që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i organizuar në Bërdo, në tetor 2021. Në veçanti, BE mirëpret mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut veç e veç.

Dokumenti adreson edhe çështje të tjera.

Në pikën e tretë fokusi vihet tek demokratizimi i vendeve të rajonit.

“BE-ja mirëpret vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vlerat dhe parimet thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja mirëpret gjithashtu angazhimin e ritheksuar të partnerëve të Ballkanit Perëndimor ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë ndarjen e pushteteve. Ajo nënvizon nevojën për përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbështetje të forcuar për qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe të drejtat e personave që u përkasin pakicave”, theksohet në këtë dokument. “Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historie solide të mbështetur nga komunikimi i qartë dhe i qëndrueshëm publik në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe media e pavarur dhe pluraliste, me respekt të plotë për lirinë e shprehjes, janë komponentë thelbësorë të çdo sistemi demokratik dhe ne mirëpresim dhe mbështesim rolin që këto luajnë në Ballkanin Perëndimor”.

BE-ja rikujton në këtë dokument rëndësinë e vazhdimit të reformave, si për të mirën e qytetarëve, ashtu edhe si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti ato reforma që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ditën kur do të organizohet samiti, në Tiranë do të zhvillohet një protestë e thirrur nga opozita.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se protesta do të jetë një mesazh për BE-në, përkitazi me degradimin e demokracisë dhe rritjen e krimit e korrupsionit në Shqipëri.

Rreth 1500 efektivë të Policisë dhe forcave të tjera të sigurisë pritet të jenë në terren për ta siguruar mbarëvajtjen e Samitit. Nivelet e masave të sigurisë do të jenë gati të njëjta me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë ishte ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, apo edhe Papa Françesku.