Arbëri

Haxhiu: Edhe sa gra e vajza duhet të vriten që të këndellet sistemi i drejtësisë

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” të premten është lansuar Kurrikula për trajtimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryesitë e dhunës në familje në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh me këtë rast se dhuna është dukuri shqetësuese në shoqërinë kosovare, ku viktima në shumicën dërrmuese të rasteve janë gratë.

Ajo shtroi pyetjen edhe sa gra e vajza duhet të vriten që të këndellet sistemi i drejtësisë.

“Edhe sa gra e vajza duhet të vriten derisa kriminelët lëshohen në mënyrë të rregullt dhe dënohen me dënime minimale”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka kritikuar udhëheqësit e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të Kosovës që nuk ishin të pranishëm në këtë ngjarje.

Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power falënderoi Qeverinë për përkushtimin duke iu rrekur seriozisht një prej shkeljeve që u bëhet grave.

Ai ka thënë se janë të vetëdijshëm për sfidat por rastet po tregojnë se sa është e zhvilluar dhuna në familje.

Sipas tij kurrikula është njëra nga dokumentet thelbësore dhe themel i sigurt se Kosova po shkon një hap përpara për parandalimin e dhunës.

Kurrikula synon të vendosë bazën për krijimin dhe zhvillimin e programeve të kryesve të dhunës në Kosovë në përputhje me standardet e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe standardet tjera ndërkombëtare.

Ministria e Drejtësisë ka miratuar Kurrikulën në mënyrë që zhvillimi zbatimi dhe ofrimi i programeve të kryesit të dhunës në familje në Kosovë në të ardhmen të jenë në përputhje me këto dokumente.

Kjo Kurrikulë ka tri seksione kryesore: i pari përcakton se çka janë programet për kryesit e dhunës në familje, duke përfshirë parimet kryesore qasjet kryesore kontekstin dhe financimin, e dyta përshkruan se si programet e kryerësve të dhunës mund të zhvillohen në Kosovë, dhe e treta përcakton modulet dhe përmbajtjen e tyre për çdo fazë dhe seancë të programit për kryesit e dhunës./ksp