Arbëri

Qytetarët shqetësohen nga paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës

Fahri Kaçiu dhe katër anëtarët e familjes së tij nuk kanë asnjë të ardhur mujore.

Ai thotë se ekonomikisht qëndron keq dhe vetëm familjarët e tij që gjenden jashtë Kosovës e ndihmojnë të mbijetojë, raporton KTV.

Paralajmërimin se do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike e quan tejet të rëndë, sepse nuk e di nga do t’ia mbajë.

Të shqetësuar për këtë shprehen edhe qytetarë të tjerë të anketuar. Komplet fajin ua lënë zyrtarëve qeveritarë.

Në Interaktiv të KTV-së, të hënën, kryetari i Komisionit Statutor në Sindikatën e Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se KEK-u është në gjendje alarmante dhe se rezervat e thëngjillit janë zvogëluar, ku për një kohë të shkurtër mund të ndalet edhe prodhimi i energjisë elektrike.

Sipas tij, krejt kjo po ndodh sepse qeveria nuk arriti t’i shpronësojë tokat në fshatin Shipitullë e Hade, pasi në atë zonë, siç thotë, zyrtarë shtetërorë kanë ndërtuar shumë shtëpi dhe nuk dihet saktësisht të kujt janë.

Përveç kësaj, Llumnica thotë se i pashmangshëm mbetet importi i energjisë elektrike nga Serbia dhe shtetet tjera fqinje gjë që do të kontribuonte në rritjen e çmimit të energjisë qind për qind.

KEK-u, në një përgjigje me shkrim, ka bërë të ditur se “në bazë të vlerësimit të fundit, duke marrë parasysh rezervat e mbetura, është duke punuar një plan rezervë në gjendjen ekzistuese për prodhimin e energjisë elektrike, sipas bilancit dhe planit të dakorduar me institucionet qeveritare”.

Krizën aktuale energjetike deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ia ka deleguar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Për këtë çështje gjatë ditës, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, është takuar me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, si dhe drejtorin menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.

Në njoftimin për media të Qeverisë theksohet se bartësit e këtyre institucioneve u zotuan se do të përshpejtojnë të gjitha veprimet në fushëveprimin e tyre për të adresuar dhe zgjidhur sa më shpejt të gjitha problemet, në mënyrë që pengesat pronësore dhe të ndërtimeve pa leje në terren, të mos vënë në rrezik prodhimin e energjisë elektrike.

Në anën tjetër, Sindikata e Re e KEK-ut, paralajmëron protestë për të mërkurën më 2 gusht, ku fton qytetarët të bashkëngjiten në protestë.