Arbëri

Petkoviq: Zgjedhjet në veri, vazhdim i dhunës ndaj serbëve

Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se zgjedhjet lokale të shpallura në veri të Kosovës, janë vazhdimësi e dhunës ligjore dhe institucionale ndaj serbëve.

Ai deklaroi të martën se ky vendim u mor njëanshëm “në prag të festës së Krishtlindjeve”, derisa shtoi se me këtë është shkelur Marrëveshja e Brukselit, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri janë përpjekje e re e Prishtinës “për të pushtuar veriun”, derisa theksoi se “Prishtina nuk do të mund t'i frikësojë serbët e larguar nga institucionet me asnjë shantazh apo kërcënim”.

“Zgjedhjet për komunat serbe, pa serbë, nuk kanë kuptim dhe si të tilla janë të destinuara për të dështuar. Kjo është një tentativë e re e Prishtinës për ta pushtuar veriun ‘e Kosovës dhe të Metohisë’, duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor, në një kohë kur me veprimet e tyre të njëanshme dhe të paligjshme, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe pasardhësit e tyre, po rrisin edhe më tej tensionet”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas Petkoviqit, Prishtina kurrë s'ka dashur bashkëpunim institucional me serbët e Kosovës.

Të hënën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori vendim që zgjedhjet në veri të mbahen më 18 dhjetor.