Arbëri

Bytyçi: Pres arritje të marrëveshjes për targa brenda kësaj jave

Seb Bytyci

Njohësi i marrëdhënies ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se pret që Kosova e Serbia të arrijnë një marrëveshje për targat brenda kësaj jave. Bytyçi në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se nuk beson se do të arrihet te faza e shqiptimit të gjobave për qytetarët që në Kosovë kanë veturat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nga 21 nëntori qytetarët që kapen me targa ilegale do të gjobiten me 150 euro.

“Unë pres që gjatë kësaj jave të arrihet marrëveshje. Nuk do të vazhdohet me hapin tjetër, apo fazën e dytë, që është dhënia e gjobave. Kjo marrëveshje mund të jetë e llojit siç ka ndodhur më herët. Pres kompromise nga të dyja palët. Duhet kompromis edhe nga Kosova edhe Serbia. Pres ose shtyrje të vendimit, ose pezullim për kohë të caktuar”, ka thënë Bytyçi.

Bytyçi ka thënë se me arritjen e marrëveshjes do të evitoheshin tensionet.

“Vazhdimisht muajve të fundit lehtësuesit e dialogut kanë theksuar se fokusi duhet të jetë te çështjet madhore e jo te menaxhimi i krizave”, tha Bytyçi.

Ai ka shtuar se nuk beson se do të dështojë marrëveshje për faktin se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme më 18 dhjetor për katër komunat veriore.


Bytyçi: Kosova të kërkojë formimin e një Asociacioni të Komunave me shumicë shqiptare në Luginë

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, derisa ka folur për presionin që po i bëhet Kosovës nga partnerët ndërkombëtarë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ka thënë se Kosova duhet të kërkojë deklarativisht të formohet një Asociacion i Komunave me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës, si dhe formimin e një komune të re në Medvegjë.

Në një intervistë dhënë Interaktivit të KTV-së të hënën, Bytyçi ka thënë se kjo do të ishte si pjesë e zgjidhjes së modelit të Asociacionit për Komunat me shumicë serbe.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të dalë me definicion pozitiv lidhur me formimin e Asociacionit, pasi deri tani ka treguar vetëm atë se çfarë nuk duhet të jetë.

“Kosova duhet ta propozojë një euroregjion, ku bën pjesë asociacioni që formohet në Kosovë dhe një tjetër që formohet në Luginë të Preshevës. Kosova ka bërë vërejtjet e veta për Asociacionin, por deri më tani ka vetëm një definicion negativ se çfarë nuk duhet të jetë, tani duhet të dalë me një definicion pozitiv, ta qartësojë se çfarë duhet të jetë Asociacioni. Nëse nuk është monoetnik, çfarë forme duhet të marrë multietniciteti”, ka thënë njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Bytyçi ka thënë se Asociacioni si pjesë e një euroregjioni do të garantonte një lloj reciprociteti midis dy vendeve.

Lidhur me planin franko-gjerman, të refuzuar nga Serbia, Bytyçi ka thënë se nuk është e çuditshme që një gjë e tillë ka ndodhur.

“Nuk është befasi që është refuzuar nga Serbia sepse plani siç është tash e hap rrugën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Dihet se mënyra e negocimit të Serbisë është mjaft e ashpër dhe bazohet në zvarritje e mospranim deri në momentin e fundit. Tek e fundit BE-ja për Serbinë mbetet vetëm një opsion, ajo ka aleancën edhe me Rusinë. BE-ja është jo patjetër rruga e vetme e Serbisë”, ka theksuar ai.

Për zgjedhjet lokale të parakohshme në komunat veriore, për çka presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur 18 dhjetorin si datë kur do të mbahen këto zgjedhje, Bytyçi ka thënë se do të ishte më mirë që ato të mbaheshin në një situatë më të qetë.

Megjithatë, sipas tij, pjesëmarrja në zgjedhje varet nga marrëveshja që do të arrihet për targat në Bruksel.

“Është çështja e afateve ligjore dhe është e pamundur t’iu iket atyre. Ndoshta do të ishte më mirë të mbaheshin në një situatë më të qetë. Zgjedhjet do të mbahen tani është çështje tjetër sa do të ketë pjesëmarrje. Mendoj se me marrëveshjen që do të arrihet për targat aty do të ketë një lloj garancie se do të ketë pjesëmarrje në zgjedhje. Mos të harrojmë që ka mjaft pakënaqësi me Listën Serbe në veri dhe ekziston mundësia që partitë tjera të dalin në zgjedhje dhe ta marrin pushtetin. Megjithatë nuk besoj që Lista Srpska do të lejojë të ndodhë ajo”, ka thënë ai.