Arbëri

Bogujevci: Afati për targat nuk shtyhet, duhet të shtrijmë sovranitetin

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka thënë se situata në veri është provokuar nga Beogradi, ndërkohë që çështjen e targave e konsideroi si një pikënisje për shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin.

Ajo ka thënë Qeveria është në komunikim me partnerët ndërkombëtarë për secilin vendim.

“Qeveria është në komunikim me partnerët, SHBA, të QUINT-it dhe natyrisht që veprimet që janë marrë nuk kanë qenë kokë më vete. Janë vendime që janë marrë më herët, është shtyrë disa herë. Tashmë afati nuk mund të shtyhet. Duhet të jemi të sigurt në veri, të shtrijmë sovranitetin. Në veri kemi pasur grupe kriminale, një subjekt politik të kontrolluar nga Beogradi. Duhet të veprojmë dhe të sigurohemi që ka siguri për qytetarët”, tha ajo për A2News.

Bogujevci përsëriti se janë djegur makinat e atyre që kanë ndërruar targat për të sjellë frikë duke shtuar se ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të merret me sigurinë e veriut.

“Që prej fillimit ka pasur diskutime dhe shqetësime për tensionimin e gjendjes në veri. Kjo vjen si rezultat i tensioneve të ngritura nga Beogradi. Duhet të jemi të qartë nga vjen tensionimi. Natyrisht që ka dhe shqetësim te ndërkombëtarët. Por nuk mund t’i vendoset barra qeverisë e cila ka ndërmarrë një hap specifik për heqjen e targave ilegale dhe kërkohet të zbatohen rregullat brenda Republikës”, u shpreh Bogujevci.