Arbëri

Petkoviq: Serbët e kanë thënë qartë, duan të themelohet Asociacioni

Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se largimi nga institucionet e Kosovës ka qenë lëvizja më e përgjegjshme e serbëve, ndaj “persekutimit sistematik të popullit serb dhe nëpërkëmbjes së të gjitha marrëveshjeve nga Albin Kurti”, raporton televizioni serb “RTS”.

Petkoviq ka thënë se në këtë mënyrë “serbët duan të mbrojnë Marrëveshjen e Brukselit dhe që pas 10 vjetëve të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, që do t’i realizojë të drejtat kolektive të serbëve”.

“Bëhet fjalë për përgjigjen paqësore dhe demokratike të popullit serb që dëshiron të mbrojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Asociacionin e Komunave serbe në këtë mënyrë”, ka thënë Petkoviq.

Petkoviq ka thënë se “nuk kalon ditë pa sulm ndaj serbëve”.

“Ne jemi këtu për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, për të qenë me popullin tonë. Përgjegjës për situatën e tillë është Albin Kurti, i cili në mënyrë sistematike shkel marrëveshjet”, tha Petkoviq.

Petkoviq ka thënë se Brukseli është vonuar me thirrjet ndaj Kosovës që urgjentisht të formojë Asociacionin.

“A do të duhej të ndodhte kjo që të reagonte Brukseli? Ata janë garantues të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, e është përgjegjësi e tyre që nuk kemi Asociacion. Pse nuk ndodhi më herët?” - tha Petkoviq.

Petkoviq ka thënë se askush në veri nuk i do targat RKS dhe se kjo do të shihet edhe në protestën të paralajmëruar sot.

“Ky është një reagim i sforcuar i popullit serb, largimi nga institucionet e përkohshme është përgiigje demokratike, sepse populli është lodhur”, tha Petkoviq.