Arbëri

Petkoviq: Policët serbë në veri u sollën me nder që refuzuan vendimin për targa

Petar Petkoviq - drejtor i Zyres per Kosove ne Qeverine e Serbise

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeveri të Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se policët serbë në veri kanë vepruar me nder, duke mos dhënë fletëqortime.

Policët në veri kanë refuzuar të japin fletëqortime për qytetarët që ende po drejtojnë veturat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.

Petkoviq ka thënë se Kosova ka dërguar patrulla policore nga jugu, duke aluduar se është thyer marrëveshja e Brukselit.

“Ky dërgim tregon se Kurti dëshiron ta shembë Marrëveshjen e Brukselit, veçanërisht pikës 9 që i referohet Policisë. Nuk ka nevojë të dërgohen policë shqiptarë në veri, është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit. Arsyeja e vërtetë e kësaj është se duan të detyrojnë policët serbë të ndëshkojnë serbët për targat KM. Asnjë serb, asnjë polic serb nuk dëshiron këtë, sepse është vendim politik kundër serbëve. Policia serbe nuk dëshiron t’i ndëshkojë prindërit tanë, shoferët e ambulancës, kjo është çmenduri”, tha Petkoviq për “TV Pink”.

Petkoviqi tha se “Prishtina me çdo mjet dëshiron të pushtojë në heshtje veriun e Kosovës e M., por se nuk do t’ia dalë”.

Petkoviq ka shtuar se vendimi i djeshëm i Policisë në veri, i kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të Listës Serbe, tregon se populli serb është i bashkuar.

“Policia nuk duhet keqpërdorur, ka detyrë tjetër”, tha Petkoviq.

Petkoviq ka shtuar se Kurti po merr vendime që shkojnë në kundërshtim me thirrjet e SHBA-së e BE-së.

Ai ka thënë se është ofruar targa neutrale KS, porse Kurti ka refuzuar.

“E kemi ofruar në Bruksel, por Kurti ka kërcyer si i përvëluar, sepse mendon se targat neutrale KS janë alternativë më e keqe, sepse mendon se me këtë kthehet neutraliteti në pyetjen e Kosovës e M. Prishtina hoqi targat KS në vitin 2020 dhe askush nuk ka protestuar për këtë me përjashtim nesh”, tha Petkoviq.

Vendimi për targa ka hyrë në fuqi më 1 nëntor. Deri më 21 nëntor qytetarët që kapen në Kosovë me targa ilegale të lëshuara nga Serbia do të marrin fletëqortime. Pas 21 nëntorit, do të marrin gjoba nga 150 euro.

Nga 21 janari do të aplikohen targat provuese, ndërsa nga 21 prilli do të hiqen tërësisht targat ilegale.