Arbëri

Parlamenti i Ukrainës shkruan për medaljen që Kosova ua ndau grave ukrainase

Parlamenti i Ukrainës njoftoi të dielën për medaljen që Kosova ua ndau grave ukrainase, thuhet në njoftimin në rrjetin social Telegram.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, iu ndau ukrainaseve medalje për qëndrueshmëri dhe mbrojtje të territorit, qëkur nisi agresioni rus (24 shkurt).

Deputetja e Ukrainës, Yevgenia Kravchuk, deklaroi kjo medalje iu takon të gjitha grave ukrainase.

“Ato shërbejnë në Forcat e Armatosura, trajtojnë, japin mësim, prezantojnë Ukrainën në nivelin më të lartë. Kam mbajtur shumë fjalime pas 24 shkurtit, por kurrë në një vend ku kaq shumë njerëz e kuptojnë se çfarë do të thotë të shohësh tanke në rrugët e tyre. Kjo është ajo që po ndodh në Ukrainë. Ju bëj thirrje, partnerë të Ukrainës: ne duhet të fitojmë. Ne do te fitojmë”, deklaroi Kravchuk, derisa mori medaljen nga presidentja Osmani.

Forumi dyditor u mbyll të dielën. Në të prezantuan 400 pjesëmarrës nga 33 shtete të botës. Tema bosht e diskutimit ishte “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.