Arbëri

Paqartësi për zëvendësim të orëve të humbura, asnjë palë s’pajtohet me tjetrën

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar bashkëpunim të të gjitha palëve për vendimin e saj për zëvendësim gjatë të shtunave për orët e humbura mësimore si pasojë e grevës në shtator. Ndonëse ajo ka thënë se komunat e Kosovës kanë pranuar kalendarin e ri shkollor, vetë komunat të premten kërkuan që të mos mbahet mësim të shtunave, ndërsa nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit vendimi është vlerësuar si i pavlefshëm, pasi thonë se duhet të merret vetëm në marrëveshje të dyanshme. Është edhe kërkesë e prindërve që të mos mbahet mësim të shtunave.

Të premten, Ministria e Financave iu përgjigj pozitivisht propozimit të Ministrisë së Arsimit që mësimdhënësve t’u jepet një paradhënie, në vlerë të pagës, si formë pagese për zëvendësim të orëve gjatë vitit shkollor, sipas një vendimi që e ka marrë Nagavci ditë më parë. Vendimi parasheh që mësim të organizohet ditëve të shtuna e që të ndryshohen edhe datat e përfundimit të viteve shkollore e të ketë mësim edhe në ditët e pushimit pranveror.

Pas ekzekutimit të pagesave, Nagavci në një shkrim në Facebook ka thënë se ka mirëpritur “paradhënien e pagave për muajin shtator” si dhe “konfirmimin e Komunave për listat e mësimdhënësve, njëkohësisht pranimit të Kalendarit të ri shkollor 2022-2023”.

Ajo ka thënë se kalendari i ri është bërë pas analizimit të përmbajtjes mësimore.

“Në bazë të kompetencave tona, si Ministri e Arsimit, kemi ndryshuar dhe plotësuar kalendarin e ri shkollor andaj presim bashkëpunimin e të gjithë akterëve, përfshirë prindërit në zbatimin e tij. Humbjet e shkaktuara nga greva 1 muajshe janë të mëdha, është humbur gjithsej 12% e mësimit, andaj duhet të angazhohemi të gjithë bashkë që këto humbje të kompensohen në masën më të madhe të mundshme. Gjatë rishikimit të kalendarit shkollor, Ministria e Arsimit i ka kushtuar kujdes analizimit të gjithë faktorëve, përfshirë analizimit të përmbajtjes mësimore për gjysmëvjetorin e parë dhe të dytë, balancimit të periudhave mësimore, shmangies së mbingarkesës, lodhjes fizike e shtesës psikologjike për fëmijët. Ministria e Financave sot e ka bërë ekzekutimin e pagave të punëtorëve të arsimit që është një paradhënie për orët që do të mbahen sipas Kalendarit të ri. Andaj presim bashkëpunimin e të gjithëve në zbatimin e tij. MASHTI, komunat, institucionet edukativo arsimore, prindërit dhe gjithë palët tjera duhet të bashkëpunojnë afër e pa u ndalur për të avancuar rezultatet në arsim”, ka shkruar ajo në Facebook.

Megjithatë, reagimi i saj vjen pak minuta pasi Asociacioni i Komunave njoftoi se ka kërkuar nga Ministria që orët e humbura të mos zëvendësohen të shtunave, por që 22 ditët e humbura të zëvendësohen çdo ditë pune me nga një orë mësimore shtesë.

“Propozojmë: Që kompensimi i orëve të humbura të mësimit për shkak të grevës së përgjithshme në arsim, të bëhet duke i shtuar nga pesë orë pune për çdo nxënës brenda javës në kuptim të ditëve të rregullta të punës, ashtu që do të përballohej më lehtë për të gjithë pjesëmarrësit në proces mësimor si dhe do të garantonte standardet e kërkuara për zhvillimin normal të procesit mësimor, për të cilën janë shprehur pajtues udhëheqësit komunal”, thuhet në letrën e AKK-së.

Po të premten edhe Këshilli i Prindërve doli kundër kompensimit të orëve gjatë të shtunave. Në një komunikatë të këtij këshilli thuhet se shumica e prindërve janë deklaruar me revoltë se as nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkolla. KPK-ja ka thënë se vendimi për kompensim të orëve është dashur t’u delegohet shkollave.

“Këshilli i Prindërve i Kosovës deklaron se nuk e mbështet kompensimin e orëve të shtunave. Prindërit e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, prandaj as nuk kanë përse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar ato. Është shumë e padrejtë dhe e papranueshme që fëmijëve tanë, pasi iu mohua e drejta kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim, t’iu mohohet tani edhe e drejta për pushim, e mbi këtë edhe e drejta për aktivitete jashtëshkollore”, thuhet në reagim të Këshillit të Prindërve.

Në anën tjetër, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, pas vendimit të Nagavcit ishte shprehur kundër. Në Interaktiv të KTV-së të martën e 4 shtatorit, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka thënë se vendimi ka qenë i njëanshëm. Sipas tij, Kontrata Kolektive thotë që orët duhet të zëvendësohen vetëm kur Ministria e Arsimit ka marrëveshje me Sindikatën e Arsimit.

“Sa i takon orëve s’mund të sjellë vendim të njëanshëm sepse kontrata kolektive e MASHTI-t me SBASHK-un e thotë qartë se orët nuk zëvendësohen pa marrëveshje dypalëshe. Thotë qartë se nuk zëvendësohen orët e grevave, por të humbura për arsye tjera, si ato të COVID-it”, ka thënë Jasharaj.