Arbëri

Mësimdhënësve në llogari u del “paga”, ministri thotë se është paradhënie

Descriptive Text

“Paga” titullohet transferi bankar në llogari të mësimdhënësve për pagesën që kanë marrë të premten e 7 tetorit. Ndonëse aty përshkruhet si pagë për muajin shtator, kur mësimdhënësit ishin në grevë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo pagesë është paradhënie për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen më vonë gjatë vitit shkollor, sipas një vendimi të Ministrisë së Arsimit.

Pagesa është në vlerë të pagës mujore për mësimdhënësit.

Ndonëse në transfer bankar përshkruhet si “Paga – 9/2022”, Murati në Facebook shkroi se “Pas konfirmimit të listave nga komunat, Thesari sot ka ekzekutuar pagesën e paradhënies për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri të mësimit, të miratuar nga MASHTI”.

Pasditen e së premtes, Qeveria ekzekutoi pagesën në vlerë të pagës së shtatorit, që deri tash nuk e ka ndarë. Mosekzekutimin e deritashëm të pagës, Qeveria e ka arsyetuar me nenin 18 të Ligjit për paga që parasheh se “gjatë zhvillimit të grevës, të pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Nga 25 gushti deri më 1 tetor sektorë të ndryshëm publikë ishin në grevë në kërkim të 100 eurove shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Qeveria i ndau nga 50 euro në muaj deri në fund të vitit, në kuadër të pakos për përballje të inflacionit, por kjo s’gjeti pajtim te grevistët. Megjithatë, greva u pezullua më 1 tetor pa marrëveshje mes palëve.

Javën e shkuar, MASHTI propozoi që në tetor të bëhet pagesë avancë si formë për zëvendësim të orëve të humbura të shtatorit. Kjo ministri vendosi për ndryshim të kalendarit shkollor dhe që orët e humbura të zëvendësohen të shtunave e në forma të tjera. As për këtë formë s’ka pasur pajtim me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, e cila është ankuar për mospagesë duke e cilësuar si diskriminues vendimin, pasi që thonë se grevistët në administrata janë paguar.