Ekipi i Eurostatit për herë të parë vlerëson Sistemin Statistikor të Kosovës ”Peer Review”

Ekipi i Eurostatit për herë të parë vlerëson Sistemin Statistikor të Kosovës ”Peer Review”

28 korrik 2017 14:23

Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës gjatë kësaj jave është kryer procesi i vlerësimit të Sistemit Statistikor të Kosovës përmes qasjes “Peer Review”. Ekipi profesional i përcaktuar nga Eurostati ka qenë i përbërë nga tre ekspertë: z. Jean-Michel Durr (udhëheqës i ekipit, Francë), z. Peter Hackl (Austri), z. Marius Anderson (Eurostat); si dhe dy vëzhgues: znj. Veneta Boneva (Eurostat) dhe z. Maldi Dema (INSAT, Shqipëri).

Vlerësimi i Sistemit Statistikor Evropian “Peer Review” është proces i rregullt në vendet e BE-së, ndërkohë që tani ka filluar edhe në vendet në zgjerim. Në Kosovë është zhvilluar për herë të parë nga data 24 – 28 korrik. Ndërkaq, përgatitjet kanë filluar për më shumë se dy vjet më parë. Ky proces shënon arritjen më të madhe të Statistkave Zyrtare të Republikës së Kosovës, në kuadrin e vlerësimit profesional ndërkombëtar, nga ekspertë të njohur evropianë. Në këtë rast, Sistemi Statistikor i Kosovës është vlerësuar sipas 15 parimeve të njohura nga Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane.

Kështu, gjatë këtyre ditëve, ekipi “Peer review” ka pasur takime të veçanta me menaxhmentin dhe stafin e ASK-së, me punonjësit e rinj të ASK-së, si dhe me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Ministrinë e Financave, po ashtu si prodhues të statistikave zyrtare.

Nga metodologjia e caktuar është kërkuar që ekipi “Peer review” të ketë takime edhe me palët e tjera të interesit, që janë pjesë e Sistemit Statistikor të Kosovës, qoftë si shfrytëzues qoftë si sigurues të të dhënave statistikore.

Takimet janë zhvilluar edhe me përdoruesit kryesorë të statsitikave zyrtare, siç janë përfaqësuesit nga Kuvendi i Kosovës, ministritë dhe instritucionet e tjera publike dhe private. Pastaj, me ofruesit e të dhënave administrative, siç janë: ATK, Dogana, Ministria e Punëve të Brendshme, MASHT, Gjykata e Kosovës, si dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë. Takime të veçanta Ekipi “Peer review” ka pasur edhe me përfaqësuesit e mediave, me komunitetin shkencor nga Universiteti i Publik “Hasan Prishtina” - Fakultetit i Bujqësisë dhe Instituti GAP, si dhe me organizatat ndërkombëtare UNICEF dhe SIDA.

Rekomandimet do të jepen në Raportin final nga ky vlerësim, që do të jetë edhe faza përfundimtare e këtij procesi.

Procesi “Peer review” do ta ndihmojë zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të Sistemit Statistikor të Kosovës në përgjithësi dhe sidomos Agjencinë e Statistikave të Kosovës në veçanti.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme