Arbëri

Përurohet Sistemi për mbrojtje nacionale

Descriptive Text

Është përuruar Sistemi Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor, me qëllim të mbrojtjes nacionale. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur të hënën se ky sistem synon shfrytëzimin e resurseve frekuencore, identifikimin dhe zbulimin e burimeve të interferencave, ngritjen e nivelit të sigurisë nacionale dhe nxënien e brezeve të caktuara frekuencore.

Kurti tha se zbatuese e projektit do të jetë kompania amerikane “TCI International”.

“Falë projekteve të zbatuara nga Ministria e Ekonomisë, sot Kosova është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë, si dhe është duke i bërë hapat e parë për shtrirjen e rrjeteve mobile 5G. Shtrirja e rrjeteve mobile 5G kërkon monitorim dhe analizim të sofistikuar të brezit frekuencor”, tha Kurti.

Ai deklaroi se do t’i mbështesë institucionet gjegjëse që Sistemi për Monitorim të Spektrit Frekuencor të punojë në mënyrë efikase.

“Infrastruktura digjitale është një nga parakushtet për digjitalizimin që e synojmë në qeveri dhe në ekonomi. Zhvillimet në digjitalizim duhet të shoqërohen me masat përkatëse për rritjen e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve. Prandaj, Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të veçantë sigurisë kibernetike, si nga aspekti i politikëbërjes, po ashtu edhe ndërmarrjes së masave konkrete, që i adresojnë rreziqet për sigurinë tonë kibernetike”, theksoi tutje.

Javën e kaluar u themelua Agjencia për Siguri Kibernetike, si institucion përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike.