Arbëri

Kryesia e Kuvendit pa kuorum, Tahiri: Qeveria në gjendje kome

Descriptive Text

Për shkak të mungesës së kuorumit, Kryesia e Kuvendit nuk ka arritur ta caktojë seancën e re plenare. Në mbledhjen e së hënës u vendos nga grupet parlamentare që të enjten të mbahen dy seanca me pikat e seancave të papërfunduara, njoftoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se seanca e së enjtes duhet të nisë me grevën e përgjithshme. Ai tha se nxënësve po iu shkaktohet një dëm i madh, "për shkak të humbjes së mijëra orëve të mësimit".

“I bëjmë thirrje urgjentisht Kurtit dhe ministres së Arsimit të ulen dhe të gjejnë zgjidhje me sindikatat. Kjo është situatë e papranueshme, nuk duhet të vazhdojë edhe më tutje. Të mos ketë nevojë fare të vazhdohet me debatin për grevat. Nëse vazhdon deri të enjten, do të vazhdojmë me këtë pikë. Për seancën e re, edhe po të kishte kuorum, nuk është se ka material tjetër për ta thirrur një seancë”, tha Tahiri, duke shtuar se Qeveria Kurti është në një gjendje kome.

“Qeveria është në një gjendje kome, është e pabesueshme të futemi në sesionin vjeshtor dhe ne të mos kemi propozime e draftligje të reja nga Qeveria”, shtoi tutje deputeti i PDK-së.

VIDEO:

Ai ka thënë se kryeneçësia e Qeverisë karshi grevës është e paprecedentë, ndërsa për deklaratat e Kurtit rreth luftës, Tahiri u shpreh se “kjo është vetëm për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme”.