Arbëri

Lidershipi i Talat Xhaferit premton avancim të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami është pritur sot nga kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Ministri Bajrami shprehu bindjen se me lidershipin e Talat Xhaferi, si kryeparalmentar i parë shqiptar në Maqedoni, do të avancohet pozita e shqiptarëve në vend.

Ai gjithashtu tha se është më se i nevojshëm thellimi i bashkëpunimit reciprok ndërmjet institucioneve të larta të Kosovës dhe Maqedonisë për mirëqenien e qytetarëve të të dyja vendeve.

Ndër të tjera u bisedua edhe për sfidat që e presin kryetarin e ri, me ç`rast ministri Bajrami u shpreh i gatshëm të ofrojë mbështetje, bazuar edhe në përvojën dhe kompetencat profesionale që posedon.

Ministri Bajrami, foli edhe për bashkëpunimin aktual ndërmjet institucioneve arsimore të Kosovës dhe Maqedonisë, njëherësh theksoi se sektori i arsimit si prioritet kombëtar është një ndër fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit, me theks te veçantë në këmbimin e ekspertëve arsimorë dhe mobilitet.