Arbëri

PDK e bindur se Veseli, ndonëse ende i panominuar, do të zgjidhet kryeparlamentar në raundin e parë

Ndonëse koalicioni PAN nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, monitorues të punës së Kuvendit thonë se zgjedhja e tij në krye të Kuvendit nuk do të jetë aspak e lehtë.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka përmendur situatat që mund ta bllokojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit të propozuar nga PDK-ja, raporton KTV.

Pengesë fillestare Krasniqi ka thënë se mund të jetë mospjesëmarrja e 61 deputetëve në seancën e 3 gushtit.

Edhe Isuf Zejna nga “Demokracia Plus”, vlerëson se nëse dështon zgjedhja e kryekuvendarit në rundin e parë, koalicioni PAN do të duhet të propozojë një kandidat të pranueshëm për të gjitha partitë.

Por, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, është shprehur i sigurt se Kadri Veseli, si kandidat preferuar i PDK-së për kryetar të Kuvendit, do të zgjidhet që në rundin e parë.

Nga ana tjetër, Vetëvendosje dhe LDK-ja janë shprehur se në asnjë mënyrë nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit. Një ditë më parë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se është edhe vendim i koalicionit LDK-AKR dhe Alternativa që të mos votohet Veseli për kryeparlamentar.