Haradinaj: Nuk do të humbet shumë kohë në formimin e Qeverisë

26 korrik 2017 19:04

Më 19 shkurt të vitit të shkuar, Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit.

Kuvendin e Kosovës atë kohë e kishte quajtur mbulesë të shkeljeve kushtetuese dhe vend ku deputetët me urdhër politik, tërhiqen zvarrë nga policia, raporton KTV.

Gati një vit e gjysmë pas, ai rikthehet si deputet në koalicion me PDK-në në pritje për t’u bërë kryeministër, i nominuar nga PAN-i.

Këtë të mërkurë, Ramush Haradinaj erdhi në Kuvend për t’u regjistruar si deputet. E, pyetja e gazetarëve rreth numrave për Haradinajn ishte e paqartë, ndonëse që prej përfundimit të zgjedhjeve janë marrë po me këta numra.

Ndërkohë, nga Vetëvendosje e koalicioni LDK-AKR-Alternativa, është përsëritur se qëndrimi i tyre është i pandryshueshëm dhe se nuk do ta votojnë Kadri Veselin e Ramush Haradinajn.

Vetëvendosje është e sigurt se PAN-i do të dështojë, e ata i kanë numrat për Qeverinë e re.

Si deputet në Kuvend u rikthye edhe Behgjet Pacolli me AKR-në.

Tha se nuk do të tradhtojë askënd dhe do të veprojë sipas marrëveshjes me koalicionin.

Edhe Ilir Deda nga Alternativa siguroi se asnjë nga deputetët e koalicionit LAA nuk do të japë votë për Veselin e Haradinajn.

Ndërkohë, regjistrimi i deputetëve do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera, derisa seanca konstituive do të mbahet më 3 gusht.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme