Arbëri

BQK: Bankat, mjaft profitabile

Banka Qendrore e Kosovës në raportin e fundit vjetor ka potencuar se gjatë vitit të kaluar bankat komerciale në vend kanë fituar 75.5 milionë euro, raporton iBANK. Pavarësisht këtij përfitimi të lartë, fitimi i bankave ka rënë për 20,2%, në krahasim me fitimin e vitit 2015, kryesisht si rezultat i zvogëlimit të normave të interesit në kredi

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2016, në të cilin potencohet se sektori bankar gjatë vitit të kaluar karakterizohet me performancë të mirë financiare, duke mbajtur nivel të lartë të profitabilitetit. Sipas BQK-së, gjatë vitit 2016 bankat realizuan një profit prej 75.5 milionë eurosh, i cili paraqet një rënie vjetore prej 20,2% në krahasim me profitin e realizuar gjatë vitit 2015, rënie kjo që, sipas BQK-së, i atribuohet rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve të sektorit bankar. BQK-ja ka potencuar edhe rënien e kamatave në kredi, e cila ka ndikuar edhe në rënien e fitimit të bankave. “Të hyrat e sektorit bankar ndoqën një trend rënës. Në vitin 2016 të hyrat u karakterizuan me një rënie vjetore prej 3 për qind, duke shënuar vlerën prej 231.1 milionë eurosh. Rënia e të hyrave kryesisht i atribuohet rënies së të hyrave nga interesi si pasojë e zvogëlimit të normës mesatare të interesit në kredi”, thuhet mes tjerash në raport, raporton iBANK Në anën tjetër, vlera e përgjithshme e sektorit bankar gjatë vitit 2016 ka arritur në 155.6 milionë euro në vitin 2016, që paraqet rritje vjetore prej 8,4 për qind.

“Në rritjen e shpenzimeve kontributin kryesor e kishte rritja e shpenzimeve të jointeresit. Raporti i shpenzimeve ndaj të hyrave të sektorit është përkeqësuar në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak si pasojë e rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve në këtë periudhë”. Sektori bankar në Kosovë po ashtu ka regjistruar rënie të kredive joperformuese dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione, raporton iBANK Niveli i kredive joperformuese shënoi rënie në 4,9 për qind, një nivel i ulët edhe i krahasuar me vendet në Ballkanin Perëndimor. Sektori bankar njëkohësisht vazhdon të ketë nivel të lartë të kapitalizimit, ku treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndroi në 17,9 për qind në dhjetor të 2016-s. Pozita e likuiditetit të sektorit banker vazhdon të jetë në nivel të qëndrueshëm, pavarësisht rritjes së përshpejtuar të kreditimit. “Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra qëndroi në 41,5 për qind, që është mjaft mbi minimumin rregullator prej 25 për qind”, bëhet e ditur në raport, raporton iBANK. Sa i përket depozitave të ekonomive familjare dhe bizneseve në sektorin bankar, sipas Bankës Qendrore të Kosovës depozitat e ekonomive familjare janë rritur për 8 për qind vitin e kaluar, përderisa rritja e depozitave të ndërmarrjeve ka qenë 14,5 për qind. - Artikulli i sponsorizuar nga ProCredit Bank